“Qeveria, buxhet elektoral”

04/09/2011 15:00

Kabllogramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë, të publikuara nga sajti Wikileaks, dëshmojnë se politikat ekonomike të qeverisë dhe gjendja e ekonomisë në tërësi kanë qenë një shqetësim kryesor në raportet që ambasada i niste Departamentit të Shtetit.

Në disa prej dokumentave konstatohet shqetësimi i ambasadës për vënien e buxhetit të shtetit në vitin 2009 nga qeveria në shërbim të rizgjedhjes.

Në një raport të dhjetorit 2008 që mban titullin “buxheti elektoral i Shqipërisë”, ish-ambasadori Xhon Uidhers komenton: Është shumë më e lehtë të fitosh zemrat dhe mendjen e njerëzve kur kontrollon se cfarë shkon në xhepat e tyre. Është e qartë se buxheti është hartuar për t’i dhënë Partisë Demokratike në pushtet avantazh në zgjedhjet e verës. Në përfundim me largimin e FMN-së në fund të vitit 2008 nuk do të jetë askush që të mbikqyrë shpenzimet e qeverisë, të cilat në zonat ku votat janë kritike mund të tejkalojnë shumat e buxhetuara.

Raporti i ambasadës vë në dukje rritjen e parashikuar të rrogave dhe pensioneve si dhe hyrjen në fuqi të tyre në 1 maj përpara zgjedhjeve ndryshe nga herët e tjera kur bëhej në korrik, si përpjekje për të blerë votat.

Gjatë kësaj periudhe, që i takon fundit të vitit 2008, ambasada ka raportuar në mënyrë të detajuar edhe mbi gjendjen e sistemit bankar, i cili po ndjente pasojat e krizës globale. Në atë kohë ambasada njoftonte Departamenti e Shtetit se Shqipëria duket se po e përballonte krizën më mirë se vendet e tjera, megjithëse sic shkruan në raport po fillojnë të shfaqen shenjat e problemeve të para potenciale, që kishin lidhje me tërheqjet e depozitave nga banka dhe vështirësinë e qeverisë për të gjetur para nga jashtë pas dështimit me eurobondin.

Top Channel