Dalipi: Ndal shkarkimeve në bashki

03/09/2011 18:35

Kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë në Bashkinë e Tiranës, Aldrin Dalipi, në një deklaratë për median, ka kërkuar me shqetësim ndaljen e të gjitha veprimeve të paligjshme që po ndërmerren në Bashkinë e Tiranës për pushimin nga puna të dhjetra punonjësve të specializuar në fushat e tyre.

Në këtë deklaratë thuhet se grupi i këshilltarëve të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, kërkon që të ndalen menjëherë këto përndjekje politike dhe klienteliste në bashki dhe të lihen punonjësit që të ushtrojnë detyrat e tyre që janë në funksion të qytetarëve dhe jo të shkarkohen sipas interesave politike të kryetarit të Bashkisë, apo kryeministrit.

Në deklaratë thuhet qartë se në institucionin e Bashkisë së Tiranës, po pushohen çdo ditë punonjës, çka po sjell një paralizë të veprimtarisë së përditshme të këtij institucioni.

Dalipi shpreh mbështetjen e plotë për të gjitha hapat ligjore që kanë ndërmarrë këta punonjës dhe kërkon denoncimin publik të këtij fenomeni që po mban peng integrimin e Shqipërisë në familjen europiane.

Ndryshimi i administratës

Pas shkarkimit të 51 inspektorëve të tregje-taksave pritet një tjetër valë shkarkimesh të punonjësve të Bashkisë.

Këtë rradhë paralajmërohen policët bashkiakë që, sipas kreut të Policisë Bashkiake, po verifikohen nëse kanë bërë shkelje me qëllim shkarkimin e tyre.

Me afrimin e shtatorit duket se ky është vetëm fillimi, pasi tashmë të gjithë drejtorëve të sapo emëruar u është lënë detyrë të gjejnë motivacionet e duhura për ristrukturimin e stafit, çka duket se nënkupton ndërrimin e tij.

Në fakt prej më shumë se një muaj punonjësit e bashkisë ishin në pritje pasi jo formalisht një gjë e tillë u ishte komunikuar.

E kthyer tashmë në traditë sa herë ka rotacion politik si në pushtetin qendror dhe në atë lokal, nga ky rregull i pashkruar nuk do të përjashtohet edhe administrata që punoi nën drejtimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, e cila do të duhet t’i lërë vendin mbështetësve të Partisë Demokratike dhe atyre të LSI të cilët kanë kontribuar.

Burime brenda Bashkisë thonë se listat me punonjësit e rinj janë bërë gati shumë më herët, por zëvendësimi do të kryehet pas asaj që quhet analizim i performancës së punonjësve të vjetër.

Top Channel