“Si të vjedhësh zgjedhjet?”

02/09/2011 19:55

Si mund të vjedhësh, zgjedhjet, sipas stilit shqiptar? Ky nuk është titulli i ndonjë manuali për vjedhje zgjedhjesh, por i një kabllogrami të Ambasadës Amerikane publikuar sot nga Wilileaks ku tregohen të gjitha prapësitë e zgjedhjeve që nga vitit 1996.

“Zgjedhjet parlamentare të manipuluara vitit 1996 hapin siparin e pikës më të ulët të për zgjedhjet shqiptare. Të mbushura me parregullsi, dhunë, kuti të mbushura, intimidim policor ndaj kandidatëve të opozitës, një administrim jo kompetent i proçesit. Zgjedhjet ishin shkatërrimtare. E çuan vendin në kolaps dhe luftë civile një vit më pas”.

Kështu e përshkruan Ambasada Amerikane situatën e zgjedhjeve të atij viti ku si truri organizues i manipulimit për zgjedhjet e 1996 akuzohet Sali Berisha, atë kohë president, i vendit nga PD, sëbashku me zyrtarin e atëhershëm të Ministrisë së Brendshme tani zëvendësministër, Ferdinad Poni.

“Fakti që përsëri Berisha ndodhet në pushtet, – vijon kabllogrami, – ndërsa Poni drejtues i projektit të Kartave të Identitetit, ka shqetësuar PS se e njëjta situatë do të pësëritet përsëri”.

Ambasada Amerikane me detaje i dërgon Departamentit të Shtetit, 16 ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme mbajtur më 28 qershor 2009 të gjitha mekanizmat manipulues të përdorura në Shqipëri gjatë zgjedhjeve siç është dërgimi fletëve të plotësuara me kuti pice, të cilat më pas hidhen në kuti pavarësisht kamera të vëzhgimit të cilat momentin e kryerjes së manipulimit fiken.

Kabllogrami përshkruan edhe shqetësimin e PS për pajisjen me karta identiteti të militantëve të PD, karta identiteti të prodhuara me emrat e personave që ndodhen jashtë Shqipërisë. Këto karta identiteti përmbajnë foton e militanit, por të dhënat e një personi tjetër.

“E shikon, unë votova PD-në mos më shkarkoni nga puna”. Ky është nëntitulli brenda këtij kabllogrami ku përshkruhet intimidimi punonjësve të administratës shtetërore për të marrë pjesë në mitingjet e PD-së madje detyrohen të fotografojnë votën për mos t’i hequr nga puna që ambasada amerikane e quan një kërcënim serioz për humbjen e vendit të punës.

Komenti mbyllës i kabllogramit hartuar nga ambasadori Ëithers thotë se potenciali për manipulim këto zgjedhje është real duke marrë në konsideratë zhvillimet elektorale të shkura dhe dy partitë politike.

“Pritshmëria e këtyre zgjedhjeve për kryeministrin Berisha mbetet e lartë në veçanti pas zërave të vazhdueshëm se anëtarë të familjes Berisha janë pjesë e skandalit të Gërdecit”, thuhet në fund të kabllogramit.

Top Channel