Kursi, shtatori sjell presion mbi lekun

01/09/2011 08:00

Monedha e përbashkët europiane fitoi terren në ditët e fundit të gushtit kundrejt lekut, ndërkohë që të dhënat historike tregojnë se monedha shqiptare humbet zakonisht rreth 1 për qind të vlerës së vet gjatë muajit shtator.

Euro kushtoi dje 140.44 lekë, ndërkohë që nga fillimi i gushtit, pati kushtuar mesatarisht 139.9 lekë.

Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë, sipas “Shqip”,  tregojnë që nga viti 2002, leku është dobësuar me mesatarisht 1.2 për qind gjatë muajit shtator, si pasojë e mbarimit të efekteve sezonale të verës dhe rikthimit të bizneseve në punë.

Shtatori nuk ka qenë asnjëherë një muaj pozitiv për lekun gjatë të gjithë dekadës së fundit. Nënçmimi i lekut ndaj euros është luhatur nga 0.1 për qind në vitin 2004, në 2.2 për qind në vitin 2009.

Në bazë të këtyre të dhënave, është e arsyeshme që gjatë shtatorit të pritet një dobësim i lekut me rreth 1 për qind. Leku ka qëndruar përgjithësisht stabël gjatë kësaj vere.

Gjatë muajve korrik dhe gusht euro ka kushtuar mesatarisht 139.9 lekë duke u luhatur në një bandë të ngushtë.

Në krahasim me një vit më parë, euro kushton sot 2.7 për qind më shtrenjtë, ndërsa në krahasim me periudhën para krizës financiare të vitit 2008, leku ka humbur 15.3 për qind të vlerës.

Në të njëjtën masë janë shtrenjtuar edhe kreditë për shtëpi, të cilat mijëra shqiptarë i kanë marrë në euro.

Top Channel