Kredia, bizneset rrisin kërkesën

01/09/2011 08:15

Portofoli i kredive në euro të tërhequra nga bizneset në Shqipëri gjatë muajit korrik u rrit me 14 për qind, gjë që besohet se shkaktoi një rritje të konsiderueshme të interesave të kredive në monedhën e përbashkët europiane.

Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat statistikore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ben te ditur “Shqip”.

Totali i kredisë në Shqipëri deri në fund të muajit korrik arriti në 516 miliardë lekë (rreth 3.7 miliardë euro), me rritje 12.5 për qind në krahasim me një vit më parë.

Kredia për biznese private në valutë, e cila përbën gati gjysmën e kredisë totale të dhënë në Shqipëri, u rrit me 14.3 për qind në terma vjetore.

Në të njëjtën kohë, interesat e kredive afatshkurtra në euro pësuan një rritje të konsiderueshme.

Kredia deri në gjashtë muaj u shtrenjtua me 1.4 pikë përqindjeje brenda një muaji, një rritje e pazakontë kjo brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Kredia gjashtë muaj deri në një vit u rrit me 0.7 pikë përqindjeje, ndërsa kredia afatmesme 3-5 vjet u shtrenjtua me 0.6 pikë përqindjeje.

Interesat e kredive ranë ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë të këtij viti duke pasqyruar kërkesën e dobët nga konsumatorët dhe bizneset, por u kthyen mbi mesataren afatgjatë gjatë muajit korrik.

Top Channel