Fëmijët e braktisur, rrëfehet e ëma

01/09/2011 23:10

Nëna e tre fëmijëve që u gjenden në kryeqytet të mërkurën në mesditë në rrugë, është paraqitur vetë në komisariatin numër katër në Tiranë, rreth orës 19.00, ku mbahet aktualisht ende në cilësinë e së shoqëruarës.

Violeta Kala është paraqitur në polici për të marrë fëmijët e saj të cilët i kishte braktisur për disa ditë. Pasi është rrëfyer me pretendimet e saj për shkakun e largimit nga shtëpia, policia ka vendosur të nisë hetim në lidhje me dëshminë e saj.

Por burime të saj bëjnë të ditur se gruaja nuk rezulton të thotë të vërtetën në një pjesë të mirë të saj, kur pretendon se është marrë me forcë nga disa persona.

Për policinë gruaja mund të ketë rrethana lehtësuese për shkak të gjendjes së vështirë financiare në lidhje me akuzat e ngritura ndaj saj, por ajo nuk do mund t’i shmanget një procedimi penal në gjendje të lirë për akuzën e braktisjes së fëmijëve. Megjithatë të njëjtat burime cilësojnë se kjo do të cilësohet vetëm pas mbylljes së hetimeve.

Drama e kësaj familjeje do të shtohet edhe me dërgimin në Gjykatën e Tiranës, të cështjes së kujdestarisë së tre fëmijëve 2, 4 dhe 6 vjec. Deri në momentin e dhënies së një vendimi nga kjo gjykatë, të tre fëmijët do të jenë në qendrën kombëtare të viktimave të trafikuara në Linzë.

Gruaja e ka hedhur poshtë faktin se ka qenë në Kosovë, ndërkohë që sipas policisë ajo rezulton ta ketë kaluar kufirin.

Dyshimet për  përfshirjen e saj në një rrjet prostitucioni, vazhdojnë edhe për faktin se e ema e tre fëmijëve ka kryer një dënim më parë për ushtrim të prostitucionit dhe pas burgut është transferuar në zonën e farmacisë 10 në Tiranë në një banesë me qera.

Top Channel