Financat hartojnë buxhetin 2012

31/08/2011 08:00

Ministria e Financave tashmë e ka të qartë planin e shpërndarjes së fondeve për vitin 2012. Drejtoria e Buxhetit në ministri ka përgatitur paraprakisht tavanet e shpenzimeve, pasi kanë kryer konsultimet me institucionet e tjera.

Sipas “Shqip”, mësohet se në shtator  do të nisin negociatat kokë më kokë mes ministrit Bode dhe ministrive për buxhetin e ri, ndërsa në tetor do t’i paraqitet Kryeministrit Sali Berisha për miratim.

Paraprakisht, tashmë është vendosur sesa do të marrin ministritë dhe institucionet e tjera të pavarura. Duke i krahasuar me buxhetin e fundit, të ndryshuar në korrik, bie në sy fakti se diferencat nuk janë të mëdha, për të mos thënë gati të njëjta. Kështu, Ministria e Transporteve mendohet se do të marrë nga buxheti rreth 45.8 miliardë lekë, aq sa kishte këtë vit. Për dikasterin e Sokol Olldashit pritej të akordoheshin më shumë fonde, duke pasur parasysh numrin e madh të projekteve, si Rruga e Arbrit apo autostrada Tiranë-Elbasan. Sipas Financave, në planin e investimeve, Ministria e Punëve Publike do të mbështetet kryesisht te financimet e huaja me vlerë rreth 28 miliardë lekë, kurse shpenzimet e brendshme do të jenë 13 miliardë lekë.
 
Rritje të lehtë të shpenzimeve do të ketë Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, me rreth 500 milionë lekë, duke ia çuar buxhetin në total afër 7 miliardë lekëve. Kujtojmë se kësaj ministrie iu krye shkurtimi më i madh i fondeve në muajin korrik, me gati 26 për qind.
 
Tek institucionet e tjera kryesore, vihet re rritje modeste e buxhetit. Institucionit të Presidentit, i cili në 2012-n do të përfshihet nga gara për zgjedhjen e kreut të ri, i janë akorduar fonde me vlerë rreth 166 milionë lekë, ose 1.2 për qind më shumë se buxheti i këtij viti. Rritje të shpenzimeve do të ketë edhe zyra e Kryeministrit me 3.2 për qind.

Ndryshe nga sa pritej, buxheti i Kuvendit propozohet me shkurtime të tjera, pas atyre të vendosura në korrik. Pavarësisht projektit të madh për ndërtimin e Parlamentit të ri, Kryetares Jozefina Topalli i janë akorduar 848 milionë lekë, ose gati 26 për qind më pak nga sa shpenzoi këtë vit. Për Kuvendin priteshin shtesa të konsiderueshme në buxhet duke pasur parasysh vlerën e madhe të investimit prej mbi 10 miliardë lekësh, por Financat kanë vendosur që investimet të mos jenë më shumë se 100 milionë lekë.

Megjithatë, buxheti paraprak i vitit 2012 kërkon të paktën edhe 2 muaj kohë që të marrë formën plotë dhe deri atëherë Kuvendi mund të shfrytëzojë periudhën për realizimin e objektivit.
Për këtë çështje, ministri i Financave, Ridvan Bode, ka lëshuar një udhëzim, më 7 korrik, ku i bën të ditur institucioneve se nuk do ketë shtesa në buxhet në raundin e dytë të diskutimeve që përkojnë në muajin shtator.

Top Channel