“Miniera rrezikon të mbyllet”

30/08/2011 19:55

Prej një muaji i gjithë qyteti i Bulqizës është përfshirë nga greva e urisë dhe protestat të cilat herë pas here kanë qenë edhe të dhunshme.

Minatorët, por edhe familjaret e tyre, kërkojnë paga më të larta, por edhe investime nga kompania ACR në mënyrë që të jenë më të sigurt dhe të kenë më shumë kushte teknike.

Inxhinieri Jorgo Kola, i cili ka kaluar mbi 30 vite të jetës së tij në këtë minierë, ai e mbështet grevën e ligjshme të minatorëve, por ai thekson se në themel të saj duhet të jetë kërkesa për hapjen e katër niveleve të tjera në minierë nga kompania ACR. Inxhinier Kola thotë se kromi që ndodhet në nivelin e 16 do të zgjasë punën e 700 minatorëve edhe një vit, ndërkaq ACR, duhet të kishte nisur punën për hapjen e nivelit të 17, 18, 19 dhe 20, kohë më parë.

“Është i vonuar duhej të ishte hapur 2-3 vjet më parë. Në vitin 2012 apo 2013 nuk do ketë vend ku do ngul kazmën për të marrë materiale. Nuk ka më”, është shprehur Kola.

Studimet e kryera vite më parë dëshmojnë se miniera e kromit në Bulqizë ka edhe 20 nivele të tjera, por inxhinier Kola mendon se ajo në të vërtetë ka edhe 40 nivele, çka do të thotë të paktën edhe 3 deri në 4 milionë tonë krom, i cili për nga cilësia është i parë në Europë.

“Firmat private mund ta vazhdojnë edhe 50 vjet të tjera dhe nga kjo pikëpamje miniera është shumë e pasur. Është e hapur deri në -540 metra deri në nivelin e detit dhe mund të shfrytëzohet deri në 40 nivele”, theksoi Kola.

Në territorin e ACR, në nivelet e shfrytëzuara më parë prej saj, janë vendosur dhjetra kompani private, minatorët e të cilëve punojnë pa asnjë plan dhe kusht sigurie. Vite më parë në këto nivele ka patur edhe aksidente me humbje jete dhe asyeja është sipas specialistëve se ata punojnë në mënyrë të mbivendosur dhe në territore të vështira.

“Ata marrin stalamitet prej kromi të cilat janë lënë për arsye të sigurimit teknik. Nga kjo pikëpamje ata rrezikojnë veten dhe njeri-tjetrin. Duke vënë në lëvizje pjesën e sipërme rrezikohet pjesa e poshtme. Nuk duhet të jenë 100 forma, por një firmë e vetmë që të bëjë shfrytëzimin”, deklaroi Kola.

Por ndërsa fitimet e kompanisë ACR dhe firmave private janë shumë të mëdha, minatorët vendosën të hidhen në një grevë urie, për paga më të larta dhe kushte më të mira pune.

Baki Bajraktari është një prej minatorëve që ka vendosur të ngujohet për  29 ditë 1400 metra nën tokë. Sot ai është me familjen, por ka disa probleme shëndetësore.

“Më kanë nxjerrë shokët nga miniera, kam romatizmën të theksuar. Kam probleme me zemrën dhe stomakun”, thotë Bajraktari.

“Ne kërkojmë kushte pune. Nuk mundet që një ministër me një firmë të mbyllë dhe më pas të hapë puset e thellësisë për të mbushur xhepat e vetë”, shton ai.

Protestat do të rinisin të mërkurë. Por sot në qytet është heshtje dhe qetësi. Ky është muaji i argjërimit për besimtarët myslimanë, ndërsa për banorët e Bulqizës është muaji i protestave më të gjata. Por edhe pse të trazuar emocionalisht dhe me xhepa të zbrazur ata shprehen se do ta festojnë në familjet e tyre Fiter Bajramin.

Bulqiza përngjan me ato qytezat e fshehura dhe të humbura, që është në funksion të minierës së begatë të kromit. Një minierë që mban gjallë frymën e mijëra minatorëve dhe nga ana tjetër pasuron frikshëm disa të tjerë.

 

ACR uron minatorët për Bajramin

Presidentja e kompanisë ACR, Rohtraut Skatsche-Depisch uroi përmes një letre të hapur minatorët festën e Fitër Bajramit, ndërsa shprehu besimin se situata e vështirë do të kalohet mes bisedimeve.

“ACR do të mbulojë shpenzimet e drekës së Bajramit. Për shkak të disa personave kushtet për minatorët janë përkeqësuar”, tha presidentja, e cila u bëri thirrje minatorëve që të rikthehen në punë.

Presidentja e kompanisë thekson në letër se ACR ka miratuar kërkesën e minatorëve për rritje të pagës në masën 20 përqind, ndërsa premtoi përmirësimin e kushteve të punës.

Pas publikimit të letrës së hapur, reagoi edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla, i cili e konsideroi këtë mesazh për festën e Bajramit,thjesht si formalitet.

“ACR të nënshkruajë marrëveshje me sindikatën në mënyrë ligjore. Nënshkrimi i marrëveshjes me ACR-në në mënyrë ligjore do të ishte urimi më i mirë për minatorët”, tha Nikolla, duke theksuar se protesta do të marrë fund.

Disa dite me pare per te zgjidhur konfliktin e krijuar në Bulqizë mes punëtorëve dhe kompanisë konçesionare ACR në këtë qytet shkoi edhe vete presidentja e kompanise austriake.

Ajo u prit nga drejtuesit e kompanisë dhe më pas ju është kërkuar minatorëve të krijojnë një përfaqësi prej 4 personash që të negociojnë për zgjidhjen e konfliktit.

Për shkak të kushteve të vendosura që në këtë grup nuk duhet të jenë drejtuesit e sindikatave apo minatorët e paditur penalisht tentativat e para për negociata kanë dështuar.

Top Channel