Taksa e makinave, qeveria del e fituar

27/08/2011 09:10

Shqiptarët bënë llogari gjatë javëve të fundit se sa fitonin dhe sa humbnin nga ndryshimi i ligjit për taksën e importimit të makinave të përdorura, por pakkush e dalloi se në fakt, vetë qeveria pritet të dalë e fituar, ndërsa popullata do të përballet me një barrë fiskale më të lartë, por gjithsesi më të tretshme.

Dy muaj më parë, nën presion nga Bashkimi Europian, qeveria shqiptare e hoqi taksën e importimit të makinave të përdorura për ta zëvendësuar atë me një taksë mbi përdorimin e makinave të përdorura që do të paguhet te Kolaudimi.

Shqiptarët që sakaq e posedojnë një makinë, rreth 400 mijë në total, humbën disa mijëra euro secili nga vlera aktuale e makinave të tyre, ndërsa shqiptarët që nuk e kanë një makinë do të kenë mundësi të blejnë një të tillë me çmim shumë më të ulët.

Por të dyja kategoritë, si ata që kanë një makinë, edhe ata që do ta blejnë një të tillë, do të paguajnë taksën e re, e cila varion nga 5 mijë lekë në vit për makinat katër vjet të vjetra me naftë dhe me cilindratë 1400, në 18 mijë lekë për makinat pesëmbëdhjetë vjeçare me cilindratë 2500.

Administrata doganore arkëtoi rreth 3 miliardë lekë gjatë vitit 2010 nga importimi i makinave të përdorura. Duke qenë se mbi 70 për qind e makinave që qarkullojnë në Shqipëri janë më shumë se dhjetë vjet të vjetra, mund të thuhet se të 400 mijë makinat aktualisht në qarkullim do të duhet të paguajnë mesatarisht 10-15 mijë lekë në vit, për një total prej 4-6 miliardë lekësh.

Në krahasim me sistemin paraardhës, barra fiskale për shqiptarët që mbajnë një makinë është gati dy herë më e lartë.

Top Channel