Bankat greke humbasin terren në Shqipëri

26/08/2011 08:00

Bankat me kapital me origjinë nga Greqia, si dhe degët e bankave greke në vendin tonë kanë humbur një pjesë të tregut të tyre në financat shqiptare që nga fundi i vitit 2008, kur filloi kriza financiare ndërkombëtare.

Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara prej raporteve vjetore të mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë.

Në fund të vitit 2008, katër bankat greke në vendin tonë zotëronin 28 për qind të totalit të aktiveve të sistemit, ndërsa në fund të vitit 2010, ato zotëronin 23.1 për qind.

Në terma nominalë, asetet, pjesë e bilanceve të katër bankave greke, janë ulur nga 233 miliardë lekë në vitin 2008, në 229 miliardë lekë në dhjetor të vitit të kaluar.

Në të njëjtën kohë, aktiviteti i sektorit bankar në tërësi ka vijuar të rritet, gjë që ka sjellë edhe rënien e pjesës së këtij tregu të kontrolluara nga bankat me origjinë nga fqinji ynë jugor.

E njëjta gjë ka ndodhur me tregun e kredive. Bankat greke zotëronin së bashku afro 41 për qind të totalit të kredive të dhëna në Shqipëri në vitin 2008, por ky dominim u reduktua në 34.5 për qind në dhjetor 2010.

Vështirësitë ekonomike dhe financiare të Greqisë, por edhe vështirësitë ekonomike të Shqipërisë gjatë tre viteve të fundit duket se kanë qenë shkaqet e rënies së peshës së bankave greke në vendin tonë.

Sistemi bankar shqiptar kishte asete të përgjithshme prej 990 miliardë lekësh, (rreth 7.1 miliardë euro, nga të cilat, 228 miliardë lekë ose rreth 1.6 miliardë euro ishin asete të katër bankave greke.

Top Channel