Unaza, akuza për devijim

25/08/2011 20:05

14 shtëpi janë shkatërruar gjatë ditës së sotme në Sauk, duke plotësuar kështu numrin prej 42 shtëpish, të cilat ishin planifikuar për t’u prishur për shkak të kalimit të unazës së madhe të Tiranës në këtë zonë.

Mes familjarëve, të cilët presin të marrin paratë e kompensimit, ka edhe nga ata të cilët i kishin ndërtuar pa leje shtëpitë, por që i kishin futur ato në proces legalizmi dhe kur bëhet fjalë për kompensim ata shprehen të revoltuar pasi thonë se po i sorollasin sa andej-këndej.

“Unë nuk them të mos bëhen rrugët dhe të mos prishen shtëpitë që i pengojnë, por të jepen lekë për vlerësimin e shtëpisë, që të shkoj me qera apo dicka tjetër. Institucionet po na cojnë nga njëri tek tjetri, kjo është poshtërsi”, shprehet një prej tyre.

Banorët akuzojnë se unaza ka devijuar nga gjurma e saj pasi ka patur nga ata që kanë dhënë ryshfet në mënyrë që të mos u prishej shtëpia.

“Unazë me zig-zage është hera e parë që bëhet. Saliu i bën këto. Unë e kam votuar atë, por ai po na prish shtëpitë”, ka shtuar banori.

Ndërkohë, sipas kreut të inspektoriatit ndërtimor të Tiranës, tashmë e gjithë gjurma e unazës së re që do të ndërtohet është e lirë nga ndërtimet.

“Ne jemi në vijim të aksionit për prishjen e ndërtesave, sot jemi në ditën e fundit dhe ky segment do të mbarojë. Firma që po merret me ndërtimin e unazës do kryejë pastrimin”, ka deklaruar Dem Dollapi.

Ndërkohë, banorët që u janë prishur shtëpitë presin në ankth për të marrë paratë e kompensimit, si dhe lejet e ndërtimit nga bashkia e Tiranës për të nsiur nga e para ngritjen e shetpive të tyre.

Top Channel