Radhë të gjata në Kakavijë

25/08/2011 16:30

Për 12 orë pika doganore e Kakavijës u bllokua mbrëmjen e djeshme për të rinisur punën paraditen e sotme. Shkak sipas punonjësve të pikës doganore ka qenë prishja e kompjuterave në palën greke. (UPDATE)

Gjatë mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit në Kakavijë u krijuan radhe shumë të gjata me mjete dhe autobuzë që kërkojnë të kalojnë në Greqi.

Ata janë shumica emigrantë që po kthehen në vendet e punës pas pushimeve në Shqipëri. Pothuajse të gjithë emigrantët e bllokuar e kanë kaluar natën nëpër makina dhe në zonën e pyllëzuar pranë pikës doganore, ndërsa sot raportohet se puna ka nisur, por për shkak të fluksit të shtuar radha vijon të jetë e konsiderueshme.

Emigrantët ankohen sepse nuk u jepen shpjegime se përse ndodhin bllokime të tilla. “Kemi 12 orë. Është e papranueshme që kompjuteri të jetë prishur që dje në darkë dhe të mos ketë një teknik për ta rregulluar”, deklaron një prej tyre.

Në mesditë është bllokuar edhe dogana e Kapshticës. Sërish arsyetimi i dhënë nga pala greke ka qenë defekti në sistemin kompjuterik.

Bllokimi u njoftua se do jetë vetëm për disa orë. Emigrantët ndërkohë kanë pritur në temperaturat e larta të ditës së sotme që u lajmëruan se do të ishin rekord për këtë sezon veror.

Top Channel