BSH: Çmimet e banesave në Tiranë janë të mbivlerësuara

25/08/2011 08:30

Në dhjetë vitet e fundit, të blesh apartament në Tiranë thuajse është kthyer në mision të pamundur, të paktën për atë kategori me të ardhura normale mesatare rreth 90 mijë lekë në muaj.

Sipas gazetës ‘Shqip’, Studime të ndryshme kanë tentuar të nxjerrin konkluzionet e kërcimit të çmimeve në periudha të ndryshme dhe shkaqet që çojnë në shtrenjtimin e metrit në katror. Ndërtuesit thonë se në Tiranë është tejet e vështirë të sigurosh të ardhura për shkak të mungesës së lejeve, taksave dhe përqindjes së pronarëve të tokës.

Ata shprehen se dikur ishte një aktivitet tepër fitimprurës, por sot kohët kanë ndryshuar dhe shitjet pothuajse kanë rënë.
Banka e Shqipërisë, pasi ka analizuar të gjitha shkaqet e nivelit të çmimeve, del në konkluzionin se apartamentet apo ambientet tregtare janë tejet të mbivlerësuara. Përfundimi jepet pasi është analizuar edhe tregu i qirave, tarifat e të cilave janë më të kontrolluara. Në këto kushte, BSH indirekt lëshon rekomandimin se ia vlen të merret një ambient me qira sesa të blihet.
 
Një ndër mënyrat për të parë nëse çmimet reflektojnë vlerën thelbësore të një banese është raporti ndërmjet indeksit të çmimit të banesave dhe atij të qirave (IÇB/IQ). Sipas bankës, në rastin e Tiranës, mund të vihet re një prirje rritëse e vazhdueshme e raportit të çmimit të banesave ndaj atij të qirave, që prej fillimit të matjes së tij në tremujorin e parë të vitit 1998.

Gjatë vitit 2006 vihet re një rritje apo kërcim i theksuar në raportin e indeksit të çmimit të banesave me atë të qirasë, rritje e cila vjen edhe si pasojë e divergjencës së dy treguesve. Pas krizës së vitit 1997 dhe deri në fillimin e vitit 2006, indeksi i qirasë ka shënuar vlera të larta, mesatarisht 112.1. Duke filluar prej vitit 2006, vlera mesatare e këtij indeksi rezulton rreth 79.2. E njëjta gjë mund të vërehet edhe për indeksin e çmimit të banesave në kryeqytet. Deri në mesin e vitit 2006, ky indeks rezulton mesatarisht të jetë 79.2. Që prej gjysmës së dytë të vitit 2006, kemi pothuajse një dyfishim të këtij indeksi në nivelin 151.6.
 
“Duke filluar nga viti 2006 mund të vëmë re një rënie të indeksit të qirasë dhe një rritje të vazhdueshme të indeksit të çmimeve të banesave. Kjo ecuri ka ndikuar edhe raportin IÇB/IQ, duke rezultuar në nivele më të larta për këtë periudhë”, – thotë Banka e Shqipërisë.

Nxitur nga këto të dhëna dhe nga studimet e ekspertëve të huaj të fushës, BSH del në konkluzionin se, çmimet e banesave në Tiranë kanë filluar të shfaqin shenja mbivlerësimi. Ekspertët e bankës përmendin disa arsye që çojnë në këtë përfundim.

Së pari, analiza supozon se familjet shqiptare janë indiferente apo kanë preferenca të pandryshuara në kohë midis blerjes së banesës dhe marrjes me qira. Për më tepër, ajo supozon se
burimi i kërkesës për qira dhe për blerje banese është i njëjtë. Kërkesa potenciale për blerje banese shtrihet edhe në emigrantët shqiptarë jashtë shtetit, të cilët nuk e konsiderojnë marrjen me qira si një alternativë ndaj opsionit të parë.

Së dyti, analiza supozon se tregu financiar dhe tregu i pasurive të paluajtshme janë zëvendësues perfektë. Në rastin e Shqipërisë ky pohim mund të jetë i shmangur nga realiteti, për sa kohë që tregu financiar nuk ofron instrumente afatgjata, të cilat mund të replikojnë harkun kohor të investimit që mbulon një investim në pasuri të patundshme.

Sa i takon çmimeve për vitin 2011, banka thotë se indeksi i çmimit të banesave shënoi një rritje vjetore prej 1.6% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, duke ruajtur ritmin e tremujorit të mëparshëm.

Top Channel