Zgjedhjet në komunën Shalë

23/08/2011 21:40

Numërimi votave në KQZ të komunës Shalë në Shkodër nxori fitues me vetëm dy vota në avantazh kandidatin e koalicionit të majtë Bal Vuksani.

Zgjedhjet në këtë komunë dështuan dy herë dhe vetëm me prani të shtuar policore u bë i mundur realizimi votimit të dielën e kaluar.

Votat u dërguan në Shkodër, por për shkak të konflikteve mes anëtarëve të KZAZ që do realizonte numërimin e votave, KQZ vendosi që këtë proçes ta realizojë vetë.

Për këtë arsye dje kutitë e votimit u morrën me helikopter për t’u sjellë këtu në Tiranë dhe në mbrëmje KQZ nisi proçesin e numërimit.

Nga numërimi rezultoi se kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Bal Vuksani të kishte marrë 644 vota, ndërsa kandidati i “Aleancës për qytetarin” Dedë Tonaj, vetëm dy vota më pak, 642.

Po ashtu, nga ky numërim rezultuan 40 fletë votimi të pavlefshme, ndërsa morrën pjesë në votim rreth 50 përqind e votuesve të Shalës.

Shpallja përfundimtare e rezultatit pritet të bëhet pasi të kalojë edhe afati që i jep të drejtë humbësit të ankimojë.

Top Channel