Berisha përshëndet rënien e Gheddafi

22/08/2011 18:35

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur rënien e regjimit të kolonel Muammar Gheddafi në Libi.

Kreu i qeverisë ka theksuar se dita e sotme shënon fundin e regjimit diktatorial, gjysmë shekullor të popullit libian.

Në një deklaratë për shtyp në faqen zyrtare të kryeministrisë thuhet:

“Kryeministri Berisha përshëndet rënien e Tripolit, kryeqytetit të Libisë, nga sulmi i gjithanshëm i luftëtarëve të opozitës, duke shënuar kështu fundin e regjimit diktatorial, shtypës, gjysmë shekullor të Muhamer Gheddafi dhe një fitore historike për popullin libian, NATO-n, vendet anëtare dhe miqtë e tjerë të lirisë së tij, në mbarë botën”.

“Shqiptarët që kanë përjetuar për rreth gjysmë shekulli regjimin më barbar në Europën e pasluftës së Dytë Botërore të diktatorit gjakatar Enver Hoxhës ndajnë me popullin mik libian kënaqësinë e kësaj fitoreje të madhe që shënon për libianët daljen nga epoka e shtypjes dhe terrorit shtetëror dhe hapjen e rrugës për ndërtimin në liri të shtetit ligjor, të bazuar në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit, barazinë para ligjit, epërsinë morale të pajtimit kombëtar si kushte sine qua non, për një të ardhme të ndritur që qytetarët libianë meritojnë”.

Top Channel