Tension në Bulqizë, policia përleshet me minatorët

20/08/2011 00:15

Mbi 300 forca të policisë dhe përfaqësues të Zyrës së Përmbarimit u paraqitën sërish në orët e vona të së premtes tek ashensori i minierës ku zhvillohet greva e urisë së minatorëve.

Forcat e policisë, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të Zyrës së Përmbarimit, që kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të Dibrës për nxjerrjen me forcë të minatorëve nga galeritë, hasën në rezistencën e kolegëve dhe familjarëve të minatorëve grevistë.

Sipas informacioneve të para, ka patur përleshje mes policisë dhe minatorëve në hyrje të ashensorit të parë. Pas kësaj forcat policore kanë bllokuar të gjitha hyrjet për në galeritë e minierës.

Por në rrugëtimin e saj drejt nëntokës, atje ku ndodhen minatorët grevistë, policia është ndalur në ashensorin e dytë. Ashensori i dytë është ai që të con në vendin ku mbahet greva e urisë së minatorëve. Ky ashensor, mësohet se është bllokuar prej minatorëve dhe forcat e rendit e kanë patur të pamundur vijimin e rrugës së tyre.

Kjo është tentativa e dytë e forcave të rendit për të nxjerrë minatorët nga miniera pas dështimit të së parës në orët e pasdites së premte. Policia dhe përmbaruesit kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës së Dibrës e cila vendosi pak ditë më parë nxjerrjen me forcë të minatorëve me arsyetimin se atyre u rrezikohet jeta për shkak të amortizimit të minierës.

Top Channel