INSTAT: Në 2010-n pati bum lejesh

20/08/2011 08:10

Viti 2010 konsiderohet me fat për ndërtuesit, përjashto Tiranën. INSTAT
bën të ditur se vitin e kaluar, bashkitë dhe komunat miratuan, në numër,
rreth 51 për qind leje ndërtimi më shumë se në vitin 2009, periudha e
krizës së fortë ekonomike

Rritje veçanërisht të fortë kanë pasur lejet e ndërtimit për banesa me 57 për qind. Më konkretisht, u dhanë 3398 leje ndërtimi, nga 2321 leje të dhëna në vitin 2009, duke e konsideruar vitin e kaluar si periudhën me më shumë leje ndërtimi të dhëna ndonjëherë.


Vlera e përgjithshme e kostos së investimit të parashikuar në bazë të këtyre lejeve arrin në 93.5 miliardë lekë, (668 milionë euro), ndërsa në vitin 2009, vlera e investimit të programuar qe 62 miliardë lekë.
INSTAT e llogarit vlerën e investimit, duke shumëzuar sipërfaqen në metra katrorë të ndërtesave për të cilat janë marrë leje me koston zyrtare të ndërtimit, e cila është afërsisht rreth 200 euro për metër katror. Sipas Institutit të Statistikave, rritja më e fortë vërehet në leje ndërtimi për banesa. Vlera e investimit të programuar për banesa, sipas lejeve të dhëna në vitin 2010, ishte 77.5 miliardë lekë, (rreth 554 milionë euro), kurse në vitin 2009 ishte 49.1 miliardë lekë.


Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë u ankua vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit për ecuri të keqe të shitjeve, si pasojë e krizës, si dhe për faktin se për herë të parë në historinë e vendit, me mijëra apartamente të përfunduara dhe të pashitura, ndërsa më herët, kompanitë e ndërtimit ishin në gjendje të shisnin apartamentet ende pa u përfunduar së ndërtuari. Çmimet e pronave të patundshme kanë pësuar rënie të lehtë ose kanë qëndruar në të njëjtin nivel si më parë gjatë dy viteve të fundit. Shumë prej pallateve, ndërtimi i të cilave nisi para krize, kanë mbetur të papërfunduar, ose ritmi i punës është ngadalësuar ndjeshëm.


Të gjitha këto probleme kishin krijuar përshtypjen se kërkesa për leje ndërtimi do të ulej. Të dhënat e INSTAT-it raportojnë për rënie drastike të shitjeve të apartamenteve dhe dyqaneve, si gjatë vitit 2010 ashtu edhe në tre muajt e parë të vitit 2011, rënie kjo e vërejtur edhe në sasinë e kredisë për blerje pronash të patundshme të dhëna nga bankat.

Top Channel