ACR: Nuk largohemi nga Bulqiza

19/08/2011 19:35

Greva e minatorëve të Bulqizës ka sjellë në Shqipëri presidenten e kompanisë Decometal Austria e cila ka në pronësi kompaninë konçesionare ACR.

Zonja Rohtraut Skatche-Depich në një intervistë për Top Channel fillimisht jep komentet e saja për grevën e minatorëve.

“Mendimi im është se greva është krijuar në mënyrë artificiale. Fatkeqësisht anëtarë të papërgjegjshëm të unionit inicuan grevën duke mos patur interesin e minatorëve”, është shprehur Skatche-Depich.

Të enjten kompania ACR bëri publike një memorandum mirëkuptimi, por që mori refuzimin e drejtuesve të sindikatës. Presidentja e Decometal tregon hapat që parashikon të ndërmarrë përballë kësaj situate.

“Siç mund të jeni në dijeni kemi një vendim gjykate ku vendosi se azurpatorët e minierës nga udhëheqësit e sindikatës të cilët janë një grup i vogël është e jashtëligjshme dhe duhet të largohen nga atje. Jam duke pritur që ky vendim të zbatohet. Kur kjo të ndodhë s’ka për të patur probleme për minatorët e mi dhe mua për të nënshkruar marrëveshjen për t’ju rikthyer normalitetit të punës”, theksoi Skatche-Depich.

Pyetjes se nëse kjo situatë në minierën e Bulqizës nuk do të marrë një rrugëzgjidhje, a do të largohet ACR nga miniera, zonja Depich jep këtë përgjigje:

“Jo. Nuk kam plan të largohem nga konçesioni pasi mendoj se kemi të gjitha të drejtat dhe kemi bërë një punë të mirë si investitorë. Siç mund ta dini kemi investuar 30 milionë euro. Kemi nisur investimin në vendosjen e makinës ngjitëse dhe pajisjeve të tjera të blera në Poloni. Jam e vendosur të vijoj investimet në Bulqizë duke e zhvilluar minierën me standarte të mira”, deklaroi Skatche-Depich.

Top Channel