OSBE, pro regjistrimit të popullsisë

04/08/2011 20:00

Pas kryeministrit Berisha edhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfharth ka dalë kundër thirrjeve të Aleancës Kuq e Zi përsa i përket cështjes së rregjistrimit të popullsisë.

Nga Përmeti, Wollfarth i ka bërë thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në procesin e regjistrimit, si një moment kyc i cili sipas tij është një mundësi e mëtejshme për zhvillimin e vendit.

“Bashkohem me ata që ftojnë njerëzit të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, sepse kjo do të ndihmojë në planifikimin e zhvillimit të vendit dhe për të ardhmen. E shoh regjistrimin e popullsisë si  një mundësi për zhvillimin e vendit në të gjitha nivelet, duke filluar nga bashkitë. Jam në dijeni të disa qëndrimeve të ndryshme në lidhje me regjistrimin e popullsisë”, ka deklaruar Wollfarth.

Por menjëherë më pas Aleanca Kuq e Zi ka reaguar duke e vënë theksin sërish tek fakti që ligji për regjistrimin e popullsisë fsheh pas tij qëllime të caktuara të shtetit grek.

“Është tërësisht antikushtetuese që të dhënat të prevalojnë mbi regjistrin e gjendjes civile të vendit tonë. Nxitëse për regjistrimin është Greqia dhe heshtja e ministrit të Inovacionit tregon gjunjëzimin e Shqipërisë”, ka deklaruar Redi Ramaj, drejtor ekzekutiv i Aleancës Kuq e Zi.

Mbetet për t’u parë si do të vijojë më tej kjo përplasje që ka ndarë në dy fronte Aleancën Kuq e Zi dhe mbështetësit e saj e nga krahu tjetër qeverinë që ka premtuar të mos tërhiqet nga ky aksion.

Top Channel