Klinton vizitë në Greqi

16/07/2011 19:45

Në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës mbërrin në Athinë nga Turqia, ku merrte pjesë në punimet e Grupit të Kontaktit për Libinë, shefja e diplomacisë amerikane Hillari Klinton.

Axhenda e bisedimeve të saj është tepër e pasur dhe takimet të shumta –bëjnë të ditur mediat greke.

Në mesditën e së dielës znj. Klinton do të takohet me kryeministrin Papandreu, me presidentin e vendit Karolos Papulias dhe me homologun e saj grek Stavros Lambrinidhis.

Ndërsa ditën e hënë do të takojë edhe udhëheqësin e konservatorëve Andonis Samaras.

Në qendër të bisedimeve do të jetë kriza e borxhit grek dhe gjendja në Eurozonë.

Në këtë kuadër ajo do të ketë edhe një takim me ministrin e Financave Evangjelos Venizelos.

“Paralelisht z.Klinton do të bisedojë me palën greke për çështje të politikës së Jashtme”, ka deklaruar në pasditen e së shtunës zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Grigoris Delavekuras.

Veçanërisht objekt kryesor bisede do të përbëjnë gjendja në Afrikën e Veriut, në Lindjen e Mesme dhe në Libi, zhvillimet në Ballkan, ku midis të tjerash do të diskutohen çështja e emrit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, progresi i Shqipërisë drejt integrimit europian si dhe çështja e Kosovës.

Pa dyshim që nuk do të mungojnë zhvillimet e fundit në Qipro dhe marrëdhëniet greko-turke.

Ditët e fundit, analiste vendas kanë kritikuar qeverinë Papandreu se mban lidhje tepër të forta me Uashingtonin, duke lënë mënjanë Rusinë, partnerin strategjik të Lindjes.

Në përgjigje të kësaj kritike Jorgos Papandreu dje në një bisedë telefonike, ka ftuar kryeministrin rus Vladimir Putin të vizitojë Athinën kur ta shohë të arsyeshme.

Top Channel