Gjykata i jep mandatin Bashës

15/07/2011 15:45

Të premten në orën 10.00 paradite përfaqësuesit e Partisë Demokratike
Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso u paraqitën në Gjykatën e Tiranës për të
kërkuar vërtetimin e mandatit të Lulzim Bashës.

Ky është një hap procedurial i parashikuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore. Shorti për të shqyrtuar këtë cështje i kishte rënë gjyqtares Elbana Lluri.

Pas marrjes së vërtetimit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike u paraqitën në gjykatën e apelit Tiranë, ku Kolegji zgjedhor u mblodh për të shqyrtuar ndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Tiranë. Kjo cështje mbërriti në Kolegj pas refuzimit të anëtarëve në pakicë në KQZ për të dhënë votat e tyre. Në mungesë të një shumice të cilësuar prej 5 votash, shpërndarja e mandateve u bë e pamundur në KQZ.

Në fillim të seancës relatorja e cështjes Meriban Mullai e shty seancën, për t’i dhënë kohë, sic tha ajo, Partisë Socialiste për t’u paraqitur si palë e interesuar. Por avokatët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën. Pas rifillimit të gjyqit në orën 12.00, Kolegji vendosi shpërndarjen e mandateve sipas tabelës së rezultateve të përgatitur nga KQZ, ku koalicioni i djathtë ka 28 këshilltarë dhe koalicioni i majtë 27.

Në përfundim, drejtori i kabinetit të kryeministrit dhe përfaqësues i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, iu përgjigj interesimit të medias.

“Jemi gati të gjitha procedurat që janë të nevojshme për konstituimin e këshillit bashkiak. Po sot gjykata vërtetoi mandatin e kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha. Në vijim do të ndiqen procedurat e tjera që parashikohen në lidhje me mbledhjen e Këshillit Bashkiak”, tha Bylykbashi.

Por zoti Bylykbashi refuzoi të spekulojë se në cfarë momenti kryetari i zgjedhur i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha do të marrë detyrën.

Top Channel