Kosova, Ashton takon Klinton

12/07/2011 23:50

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme Kathrin Ashton, e cila ndodhet në Uashington, theksuan se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, do të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për të ndërtuar shoqëri të begata, paqësore dhe demokratike dhe në synimin e tyre për t’u anëtarësuar në institucionet euro-atlantike.

Në fokus ka qenë sidomos cështja e Kosovës dhe marrëveshjet e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilësuara me përfitim për të dyja palët.

Por ky është vetëm fillimi, tha Klinton. Tani paktet duhet të zbatohen dhe ne duhet të shikojmë më shumë përparim, veçanërisht në veriun e Kosovës. Presim që të dy palët të vazhdojnë punën e tyre dhe të arrijnë marrëveshje praktike për të përmirësuar jetën e përditshme të popujve të tyre.

Edhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Kathrin Ashton, thotë Zëri i Amerikës, komentoi rreth Ballkanit dhe veçanërisht rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo e vuri theksin tek takimi që kishte patur javën e kaluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin është diskutuar mbi synimin e këtij dialogu, për ta bërë jetën më të mirë për popujt e të dy vendeve, veçanërisht në veriun e Kosovës.

Top Channel