PS: Zgjedhjet të pavlefshme

25/06/2011 15:05

Partia Socialiste deklaroi për herë të parë se do kërkojë pavlefshmërinë
e zgjedhjeve në Tiranë, të cilat Blendi Klosi i quajti një masakër
elektorale të pashembullt.

“Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar e bindur se fitorja në 8 maj i takon Edi Ramës dhe se fitorja e Edi Ramës ishte një fitore madhështore mbi makinerinë qeverisëse, e bindur se Sali Berisha dhe Ristani i prishën këto zgjedhje për të fshehur humbjen e tyre në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë do kërkojë pavlefshmërinë e plotë për këtë masakër elektorale”, tha Klosi.

Deputeti socialist tha se ekzsitojnë prova të pakontestueshme që faktojnë manipulimin masiv të zgjedhjeve në Tiranë.

“Kode të ndryshuara, kodet që mungojnë, fletë votimi jashtë zarfeve të futura nga brimat e kutive të çara në bodrumet e KQZ-së. Fletë që kanë fluturuar me kilometra nga njëra qendër në tjetrën nëpërmjet duarve të inkriminuara të shërbëtorëve të shërbëtorit Ristani. Kodet e numrat e votave që nuk përputhen me procesverbalet, kuti te thyera e të shqyera tregojnë më së miri se çfarë përmasash ka arritur manipulimi i vullnetit të qytetarëve të Tiranës”, tha Klosi.

Partia Socialiste parlajmëron kryeministrin se po e con vendin drejt një shtegu të rrezikshëm, kostot e të cilit do bien mbi të gjithë shqiptarët.

Top Channel