Tirana sërish pa fitues

14/06/2011 00:00

Në mesnatë, Kolegji Zgjedhor, pas shumë orësh konsultime doli me një vendim përsa i përket kërkesë-padisë së Partisë Socialiste duke e pranuar atë pjesërisht.

Kolegji në vendimin e tij urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të numërojë të gjitha votat e kontestuara në të gjitha kutitë.

Gjatë leximit të vendimit, relatorja e kësaj cështje, gjyqtarja Dhurata Haveri njoftoi pranimin e pjesshëm të padisë së Partisë Socialiste përsa i përket votave të hedhura në kutinë e gabuar.

Por, Kolegji rrëzoi kërkesën e opozitës për rezultatin e 117 kutive të hapura nga KQZ pas datës 14 maj, ku numri i votave ishte më i madh se numri i personave që kishin votuar.

Ky vendim i Kolegjit do të sjellë hapjen e të gjitha kutive ku ka shënime nga ana e komisionerëve për fletë të kontestuara dhe rezultati i tyre do t’i bashkangjitet rezultatit të deritanishëm që ka KQZ.

Ky vendim është gjithëpërfshirës, që do të thotë se nuk do të numërohen vetëm fletët e kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por edhe për kryetarët e njësive bashkiake, për anëtarët e këshillit të Bashkisë së Tiranës dhe këshillit të njësive bashkiake.

Pra do të rinisë e njëjta praktikë e ndjekur nga KQZ që numëroi fletët e hedhura në kutinë e gabuar, cka duket se do të kërkojë kohë për të zbardhur rezultatin përfundimtar dhe bashkë me të edhe fituesin e Bashkisë së Tiranës.

Kolegji thjesht i paqarte?!

Cfarë ka dashur të thotë autori? Kjo është një pyetje që bëhet rëndom për tekstet hermetike të letërsisë abstrakte. Vendimi i Kolegjit duhet të ishte i qartë si kristali. Por deri në zbardhjen e vendimit, leximi që bëri gjyqtarja Haveri në mos krijon paqartësi, të paktën lë shteg për dykuptimësi. Me zbardhjen e ditës së re, idetë vijnë më të qarta për domethënien e këtij vendimi:

“Urdhërimin e palës së paditur, KQZ-së, të hapë, të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore për Bashkinë Tiranë në 368 QV për kryetarin e Bashkisë Tiranë, këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi”, thuhet ne vendim.

Mirëpo problemi qëndron në atë që fletët e hedhura në kutitë e gabuara nuk janë fletë të kontestuara sipas kuptimit që u jep atyre neni 118 i Kodit Zgjedhor. Sipas kodit, fletët e kontestuara janë ato fletë me të cilat një ose më shumë anëtarë të grupit të numërimit, ose vëzhguesit që ndjekin procesin, nuk kanë qenë dakort që në momentin e parë. Gjatë numërimit këto fletë lihen mënjanë dhe pasi mbaron numërimi për atë kuti, fletët e kontestuara vlerësohen në cast prej KZAZ-së.

Rezultati i shpallur nga KZAZ-ja shënohet në librin e protokollit të KZAZ-së dhe përfshihet në tabelën përkatëse të rezultatit të qendrës së votimit që harton grupi i numërimit të votave. Për secilën fletë të kontestuar, në pjesën e prapme të saj numëruesi i parë i Grupit të Numërimit shënon qartë arsyet e kontestimit. Për votat e kontestuara mbahet një procesverbal i veçantë, sipas modelit të përcaktuar me vendim të KQZ-së, në të cilin pasqyrohet numri i përgjithshëm i fletëve të votimit të kontestuara për QV përkatëse. Në përfundim të nxjerrjes së rezultatit fletët e votimit të kontestuara dhe procesverbali përkatës futen në zarfin e “fletëve të votimit të kontestuara”. Mirëpo fletët e hedhura në kutinë e gabuara nuk janë kontestuar për asnjë moment gjatë numërimit, sepse numëruesit ishin trajnuar për t’i quajtur ato fletë të pavlefshme. Kontestimi, jo në mënyrën që parashikon ligji, por thjesht me shënime në libra protokollesh, është bërë pas datës 14 maj kur u numërua edhe kutia e fundit, prej anëtarëve demokratë të KZAZ-ve. Vetëm mbi bazën e këtyre indicieve KQZ u investua si një super KZAZ e madhe për Tiranën për të vlerësuar votat e hedhura gabim në 117 qendra votimi.

Në rast se me vendimin e tij Kolegji ka dashur të thotë se KQZ duhet t’i rivlerësojë e hedhura gabim nisur nga votat e kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore, atëhere KQZ nuk ka për të gjetur gjë, sepse askush pra përpara datës 14 maj nuk i ka kontestuar këto fletë. Ekziston edhe një mundësi e dytë: Kolegji padashje ka futur një paqartësi duke u shprehur për “vota të kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore”.

Më poshtë kolegji flet për “368 QV për kryetarin e Bashkisë Tiranë, këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi”. E lexuar e shkëputur nga togfjalëshi më sipër, ky pasazh të lë të mendosh se do të hapen të katra kutitë e 368 qendrave të votimit të mbetura, pra 1472 kuti, për të parë njëpërnjë nëse ka fletë të hedhura gabim. Duket se këtë kuptim i ka dhënë vendimit edhe ambasadori i OSBE-së. Por edhe në qoftë kështu, vendimi i Kolegjit është i paplotë, sepse në 117 QV që u hapën në KQZ, u panë vetëm kutitë e kryetarit dhe këshillit të njësisë bashkiake, por jo kutitë e kryetarit dhe këshillit të bashkisë së madhe të Tiranës.

Pra edhe në këtë rast trajtimi i njëtrajtshëm për të cilin flet ambasadori Volfarth, është i paplotë. Me vendimin e Kolegjit duket se KQZ nuk është e detyruar të rakordojë mospërputhjet e shifrave mes numrit të votave dhe zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim. Dhe ky është një tjetër element që nuk ndihmon në integritetin e procesit. Ndoshat Kolegji do ta ketë parasysh zallamahinë në të cilin e ka futur opinionin publik, për të qenë më specifik në vendimin e tij të zbardhur. Vetëm atëherë do të kuptojmë, institucionalisht, se cfarë ka dashur të thotë autori.

 

Top Channel