Kosovë, shtyhet regjistrimi i popullsisë

15/04/2011 16:35

Ndonëse ishte parashikuar që më 15 prill të përfundojë regjistrimi i popullsisë në të gjithë Kosovën, megjithatë ky proçes do të zgjasë deri të martën më 19 prill në disa komuna, si në Prishtinë, Graçanicë, Ferizaj, Partesh, Deçan dhe Kllokot.

“Në disa komuna dhe mjedise nuk ka pasur një mbulueshmëri të plotë. Për hirë të interesit të qytetarëve dhe vendit kemi ardhur në një përfundim që në disa komuna të bëhet shtyrja e afatit”, është shprehur Rifat Blaku, kryetar i Komisionit Qendror për Regjistrimin.

Ndërsa, në komunat tjera regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare përmbyllet ashtu siç ishte parashikuar.

Nga 37 komuna sa i ka Kosova, në 3 komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe pjesën veriore të Mitrovicës nuk kanë dalë ekipet e regjistruesve.

Zyrtarët deklarojnë se janë duke u bërë përgatitjet që edhe atje në një të ardhme të afërt të fillojë të realizohet ky proçes, por nuk tregojnë se kur do të ndodhë kjo.

“Atje është dhënë shansi dhe mundësia që kjo të shtyhet që të gjithë qytetarët të jenë përfitues dhe pjesëmarrës”, theksoi Blaku.

Ndërsa, Kjartan Bjornson nga Komisioni Evropian tregoi se pas fazës së realizimit të këtij projekti do të përpunohen të dhënat.

Pritet që deri më 30 qershor Enti i Statistikave të publikojë të dhënat e para jo përfundimtare për numrin e banorëve në Kosovë dhe të atyre që jetojnë jashtë Kosovës.

Top Channel