Orkestra filarmonike mbarëshqiptare

12/04/2011 19:50

Muzika flet një gjuhë të vetme dhe artistë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë vendosur t’i japin një vulë kombëtare asaj: një orkestër filarmonike panshqiptare.

Siç tregoi emisioni i pasdites në “Top Channel”, duket se edhe këtë herë artistët janë në krye, për të arritur një nga ëndrrat më të guximshme të shumë shqiptarëve nëpërmjet krijimtarisë dhe shpirtit të tyre.

Por, përse duhej një orkestër mbarëshqiptare, ndërkohë që në shumë prej trevave shqiptare vazhdojnë të jenë funksionale orkestrat kombëtare? Duket se edhe për këtë ka një përgjigje logjike e të studiuar me kujdes nga dirigjenti Desar Sulejmani.

”Është e vërtetë që ne kemi orkestrat kombëtare, por që shumë mirë mund t’i quajmë orkestra kombëtare lokale sepse e shtrijnë veprimtarinë e tyre vetëm në kryeqytet, ndërkohë që ne duam të jemi përfaqësuesit moralë dhe shpirtërorë të gjithë shqiptarëve dhe të mund të shkojmë të japim koncerte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni”, deklaroi Sulejmani.

Ndonjëherë, duket pak e vështirë të mbledhësh bashkë 10 apo 20 muzikantë, por ja që në premierën e filarmonisë mbarëshqiptare në Gjermani luajtën mbi 60 artistë në violinë, piano, violinçel, kitarë dhe në veglat e “pafundme” muzikore që duket se përhapen në ajër për t’i dhënë një kuptim simbolik aspiratës politike të këtyre artistëve: bashkimit kombëtar.

Në pamje të pare, gjithçka është në sintoni, thua se gjithçka ka shkuar vetë në vendin e saj, pa shumë lodhje, pa shumë mundim.

Megjithatë pas gjithë asaj panorame për syrin dhe muzikë për veshin qëndron një koordinim njerëzish, kostosh, aktivitetesh dhe programacioni. Këtë e dëshmon një nga përfaqësuesit e Shqipërisë në këtë orkestër, Isak Shehu.

”Është e vështirë të organizosh një staf kaq të madh dhe prej kaq shumë vetash sepse përveç lodhjes njërëzore duhen marrë parasysh edhe kostot.

Megjithatë, ne kemi një eksperiencë disa vjeçare bashkëpunimi me muzikantë nga Kosova, Maqedonia apo edhe Mali i Zi.

Kemi organizuar koncerte dhe tashmë kishte ardhur koha që të gjithë punën tonë shumëvjecare që ka filluar që në vitet 2000 ta konkretizonim me një institucion të njohur dhe të regjistruar edhe në gjykatë”, deklaroi Isaku.

Megjithëse, tashmë është njohur ligjërisht si nga shteti ashtu edhe nga publiku, ende nuk është zhvilluar një koncert në Shqipëri.

Por, koha vepron në favorin e kësaj elite artistike. Ata tashmë kanë filluar të projektojnë detajet e koncertit që do të përcillet tek shqiptarët e Shqipërisë në fillimin e vjeshtës, gjithmonë nëse gjithçka shkon në rrjedhën e duhur e nuk ka të papritura të pakëndshme.

Violonçelisti Pjetër Guralumi, një tjetër nismëtar i kësaj orkestre, deklaroi: “Besoj nga nëntori do të kemi një koncert që do të pasqyrohet edhe në Kosovë e Maqedoni.

Duam që rezultati i punës sonë të jetë i frytshëm dhe të sjellë vlera të vërteta, prandaj kemi filluar të merremi me organizimin dhe përgatitjen e pjesëve.

Nuk do të kemi muzikë vetëm shqiptare apo vetëm të huaj. Do të ketë një gërshetim vlerash. Duhet thënë me kënaqësi që një artist duhet të përçojë shpirtin e artistit”.

Në këtë orkestër nuk bëhet fjalë për një rreth të mbyllur që përfshin vetëm artistët më në zë.

Ata janë gjithmonë në kërkim të prurjeve më të mira artistike të shqiptarëve. Për themeluesit e filarmonisë elementët e rinj mund të jenë burim mesazhesh dhe impulsesh të rëndësishme artistike në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

”Aktualisht kemi disa të rinj që janë bashkuar me nismën tonë, por jemi në kërkim të vazhdueshëm për talente të reja shqiptare që jetojnë në trojet shqiptare apo edhe në Gjermani, Amerikë, etj”.

Kështu, duke dëgjuar koncertin që sapo ka nisur në Akademinë e Arteve, i japim kohë edhe publikut nga ekrani të shohë dhe të dëgjojë muzikën e kompozitorëve më të mëdhenj shqiptarë dhe të huaj.

Top Channel