Piktura e Përvathit në Prishtinë

04/03/2011 20:20

Bukuritë e natyrës shqiptare u shpalosën të enjten në mbrëmje për adhuruesit e pikturës edhe në Kosovë, përmes tabllove të Pashk Përvathit.

Siç thotë vetë piktori, për të ishte një ëndërr që një ditë të hapte ekspozitë edhe në Galerinë e Arteve të Kosovës.
“Nuk ka piktor në Shqipëri që nuk do të donte të vinte në Kosovë. Unë kisha vite që ëndërroja të isha në këtë sallë përpara jush. Arti ka mundësi të bëjë këtë bashkim shpirtëror”, u shpreh Pashk Përvathi.

30 piktura në vaj që sjellin disa nga panoramat më të bukura, kryesisht në vjeshtë dhe dimër, që nga Valbona deri në Butrint, do të qëndrojnë të ekspozuara në muret e Galerisë së Arteve në Prishtinë.

“Pashk Përvathi kultivon të bukurën dhe poetiken”, deklaroi kritiku i artit, Mustafa Ferizi.

Kjo ekspozitë ishte edhe ngjarja e parë e këtij lloji ku merr pjesë Memli Krasniqi në cilësinë e ministrit të kulturës.
“Shpresoj që bashkëpunimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës të thellohet më tej, të dinamizohet dhe të ngrihet në nivelet ku i takon”, theksoi Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

 “Maja e Thatë-Valbonë”, “Borë në Shkodër”, “Vjeshtë në Polenë”, “Dëborë në Lezhë” apo “Laguna e Butrintit” janë disa ndër pikturat që Përvathi ekspozon në Prishtinë, ndërkohë që njërën prej tyre, “Fusha e Korçës në Dimër”, ia dhuroi fondit të Galerisë së Arteve të Kosovës.

Top Channel