Kthimi i qetësisë në Egjipt

13/02/2011 12:20

Mijëra njerëz u drejtohen sheshit “Tahrir”, duke penguar përpjekjet e ushtrisë për të pastruar qendrën e Kajros, e shndërruar në simbolin e vendosmërisë, që rrëzoi nga pushteti presidentin Hosni Mubarak.

Ushtria duket e pavendosur për t’iu pergjigjur këtij fluksi të ri dhe ka kërkuar heqjen e te gjitha tendave të ngritura. “Ne nuk duam më asnjë protestues të ulet në shesh pas ditës së sotme”, tha njëri prej komandantëve të ushtrisë”. Përmes një deklarate, forcat e armatosura i kërkuan qeverisë të qëndrojë në fuqi deri në formimin e ekzekutivit të ri.

Gjendja shpirtërore e shumë protestuesve ndryshoi kur mëngjesin e së djelës në shesh u panë forcat speciale që u kujtojnë egjiptianëve përleshjet e dhunshme dhe viktimat. Turma bërtiste: “Ikni nga Sheshi!” Ishte i qartë tensioni mes palëve. Një numër i madh protestuesish bllokuan trafikun në zemër të Sheshit të Lirise duke u zotuar se do të qendrojnë aty deri në përmbushjen e të gjitha reformave. Gjatë fundjavës, ushtria, vullnetarë dhe punonjës të Bashkisë u përpoqën të pastrojnë sheshin.

Kreu i forcave të armatosura, Mohamed Husein Tantaui, u takua me kryeministrin Ahmed Shafiq dhe zyrtarë të tjerë për t’i kthyer vendit kthimin në normalitet. Ai diskutoi me ministrin e Brendshëm, Mahmud Uagdi për të kthyer në detyrë policinë, e cila u largua nga rrugët e Egjiptit në ditët e para të protestës. Policia në Egjipt, perceptohet gjerësisht si një instrument represioni.

Më herët, presidenti amerikan, Barak Obama, mirëpriti deklaratën e Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura Egjiptiane, i angazhuar për një tranzicion demokratik civil që do të respektojë detyrimet ndërkombetare të Egjiptit”. Ushtria konfirmoi se traktati i paqes i nënshkruar në vitin 1979 me Izraelin nuk do të cenohet. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e mirëpriti këtë, duke nënvizuar se traktati është një gurthemeli në stabilitetin e Lindjes së Mesme.

Ndërkohë, autoritetet ndaluan udhëtimin jashtë vendit të tre zyrtarëve, aleatë të Mubarakut; ish-kryeministrit Ahmed Nazif, ish-ministrit të brendshëm Habib Al Adli dhe ministrit aktual të Informacionit Anas Al Fekky, me argumentin se ata janë nën hetim. Ushtria është përpjekur të qëndroje mbi politikën, si një forcë që bashkon vendin, por opozita kërkon fakte të dukshme se vendi po ecën në një drejtim të ri dhe nuk po ndodh zëvendësimi i një diktature me një tjetër.

 

Top Channel