Egjipt, dorëhiqet Hosni Mubarak

11/02/2011 17:25

Pas 18 ditë protestash në vend, jep dorëheqjen presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëspresidenti egjiptian, Omar Suleiman në një dalje në televizion. (UPDATE)

Sipas tij, Mubarak ka hequr dorë nga mandati presidencial dhe ka ngarkuar forcat e armatosura të menaxhojnë punët e shtetit.

“Qytetarë, në emër të Zotit, në këtë situatë të vështirë që Egjipti po kalon, presidenti Hosni Mubarak ka vendosur të japë dorëheqjen nga detyra dhe ka ngarkuar forcat e armatosura të drejtojnë punët në vend. Zoti na ndihmoftë!”, është shprehur Suleiman.

Mijëra flamuj janë valvitur në sheshin Tahir të shoqëruara me thirrje të gëzueshme dhe fishkëllima.

Ndërkohë këshilli suprem i forcave të armatosura egjiptiane ka vendosur të garantojë “kalimin paqësor të pushtetit” dhe “zgjedhjet e lira” në vend. Kështu theksohet në komunikatën numër 2 të ushtarakëve në një mbledhje të Këshillit të Ministrave.

Top Channel