Egjipt, 16 ditë protestë

10/02/2011 12:55

Mijëra protestues në Egjipt e kaluan natën në sheshin Tahrir duke vendosur pranë tankeve aty, tenda e kuverta. Me të gdhirë dita e sotme, manifestimet nisën sërish, duke bërë që protesta kundër presidentit Hosni Mubarak të hyjë kështu në ditën e saj të 16-të.

Mëngjesi ishte përgjithësisht i qetë, pa përleshjet që trondisin prej me shumë se dy javësh kryeqytetin egjiptjan.

Tubuesit u mblodhën ngadalë përpara selisë së asamblesë së popullit, ndërsa një pjesë u grumbulluan në hyrjen e shtëpisë së kryeministrit Ahmed Shafik.

Ndërtesa e Parlamentit u rrethua të mërkurën nga protestuesit, duke u kthyer dhe në skenë përplasjesh të dhunshme.

Shumë egjiptjane e konsiderojnë asamblenë jolegjitime për faktin se anëtarët e saj i siguruan mandatet në zgjedhjet e konsideruara si thellësisht të manipuluara nga partia e presidentit Mubarak.

Thirrjet e Uashingtonit për të përshpejtuar ritmin e reformës politike, janë refuzuar nga ministri i Jashtëm egjiptjan, Ahmed Aboul Gheit, që tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i imponojnë vullnetin e tyre një shteti të madh si Egjipti.

Mjaft i hidhur në deklaratat e tij, Gheit kritikoi ashpër ndërhyrjen amerikane ndaj aleatit të hershëm të Shteteve të Bashkuara dhe shtoi se vendi i tij thjesht po përballej me një moment trazirash.

Ai justifikoi mbajtjen në fuqi të ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme me faktin që vendi ka nevojë për siguri, sidomos tani, kur pas protestave siç tha në rrugët e Egjiptit enden të lirë 17 mijë të burgosur.

Replika e Uashingtonit nuk vonoi. Shtëpia e Bardhë doli me një deklaratë ku thuhet se planet e tranzicionit nuk janë të mjaftueshme për të kënaqur egjiptjanët që kërkojnë ndryshim.

Top Channel