Egjipt, SHBA kërkon ndryshim

09/02/2011 12:45

Një ditë më parë, sinjalet e Uashingtonit linin të kuptohej se stabiliteti i Egjiptit ishte shqetësimi kryesor i Shteteve të Bashkuara, që përsëriten thirrjet për dialog, e mërkura sjell një tjetër qëndrim.

Administrata amerikane ka shtuar përsëri presionet mbi presidentin Mubarak dhe këmbëngul për ndryshim të shpejtë, duke filluar më së pari nga heqja e menjëhershme e ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme, në fuqi prej 30 vjetësh.

Më herët, Shtëpia e Bardhë i përshkroi si absolutisht të padobishme komentet e zëvendëspresidentit Omar Sulejman, i cili tha se Egjipti nuk është gati për demokracinë.

Pohime të tilla nuk ndihmojnë aspak në kapërcimin e situatës së vështirë në vend, u shpreh zëdhënësi Robert Gibbs.

Suleiman paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e një grushti shteti, nëse nuk arrihet sukses me reformat kushtetuese.

Deklarata e tij erdhi pas protestës më të madhe të zhvilluar deri tani në Kajro, kur dhjetëra mijëra vetë forcuan radhët e demonstruesve në sheshin Tahrir me thirrjet për largimin e menjëhershëm të Mubarakut.

Pjesëmarrja masive në tubim tregoi qartë se pretendimet që protestuesve po u shteron fuqia, nuk kanë asnjë bazë.

As planet e qeverisë për një kalim paqësor të pushtetit dhe as vendimi për t’i rritur me 15% pagat e punonjësve të sektorit publik, nuk konsiderohen të mjaftueshme nga mbështetësit e opozitës.

Kjo e fundit thotë se kërcënimet dhe arrestimi i aktivistëve të saj, janë shtuar dhe se i druhet reagimit të ashpër të Mubarakut ndaj saj, nëse do të vazhdojë të mbetet në post.

Ndërkohë, monedha vendase, paundi egjiptian, nuk ka rënë në vlerë sa pritej, e ndihmuar kjo mbase nga ndërhyrja e qeverisë vendase dhe atyre të huaja.

Pavarësisht kësaj, sipas BBC, gjithçka duket se parashikon një periudhë të zgjatur paqëndrueshmërie për Egjiptin dhe mbarë rajonin.

Top Channel