Egjipt, rriten 15% pagat dhe pensionet

07/02/2011 20:45

Qeveria egjiptiane vendosi për rritjen e menjëhershme të pagave të sektorit shtetëror dhe pensioneve me 15%, në një përpjekje për të rikthyer vendin në qetësi, pas protestave të dhunshme 2-javore.

Bankat u rihapën më parë gjatë ditës, por shkollat dhe bursat jo, ndërsa protestuesit ndaluan funksionimin e disa institucioneve. Për të 14-n ditë me radhë, me dhjetëra mijëra njerëz dolën për të kërkuar largimin e Hosni Mubarakut, në sheshin dhe rrugët kryesore të kryeqytetit Kajro.

Vendi kërkoi sot 2,2 miliardë euro hua, ndërsa është duke humbur çdo ditë 310 milion euro nga paralizimi i jetës ekonomike në vend.

Gjithashtu ditën e sotme, presidenti amerikan, Barack Obama, bëri deklaratën më të fortë anti-Mubarak që prej fillimit të protestave, por presidenti 82-vjeçar duket se është i vendosur që të vazhdojë të rezistojë.

Top Channel