Egjipt, Mubarak refuzon të dorëhiqet

31/01/2011 22:00

Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, sapo deklaroi se nuk ka ndërmend të dorëhiqet, duke ngjallur protesta të menjëhershme dhe ilaritet mes turmës prej dhjetëra mijëra egjiptianësh të mbledhur në qendër të Kajros, për të festuar largimin e tij.

Prej disa orësh, pritej me ankth adresimi i 82-vjeçarit përpara kombit, me bindjen se ai do të pranonte të largohej.

Megjithatë, duke folur për televizionin shtetëror, në një deklaratë që nisi në orë 21:45, Mubarak deklaroi: “Janë bërë gabime dhe unë jam i pari që e pranoj këtë.

Kjo qeveri po punon intensivisht për t’i ndrequr këto probleme. Unë jam shumë krenar për të rinjvë e vendit tim, për këtë brez të ri egjiptianësh që kërkojnë demokraci të plotë.

Më vjen keq vetëm për faktin që disa persona i janë nënshtruar presioneve të huaja, për të mbajtur qëndrime të caktuara. Edhe më e dhimbshme për mua janë martirët e këtyre protestave, por përfitoj nga kjo deklaratë, për të theksuar edhe një herë angazhimin e plotë të shtetit për të vendosur fajtorët përpara ligjit.

Më parë, kam deklaruar se nuk do të paraqitem në zgjedhjet e shtatorit dhe kjo ishte një deklaratë e vështirë për një njeri që ka lidhur jetën e tij me fatet e vendit prej 30 vitesh.

Jam këtu përpara jush për të konfirmuar se do të vazhdoj të qëndroj në pushtet deri në shtator, periudhë gjatë së cilës do të përgatis gradualisht largimin tim nga pushteti. Ndërkohë, disa kompetenca kam vendosur t’i delegoj tek zëvendëspresidenti Suleiman.

Periudha ime si president nuk do të jetë e përjetshme, por ai që do të më zëvendësojë do të vijë vetëm me zgjedhje të rregullta dhe demokratike, me zgjedhje që janë në plan të zhvillohen në shtator”.

Presidenti Mubarak lajmëroi edhe për një seri ndryshimesh kushtetuese, që t’i japin qytetarëve më shumë të drejta demokratike.

Top Channel