KE: Liria e tubimit, themelore

28/01/2011 19:15

Komisioni Evropian e ka cilësuar si një liri për t’u shprehur dhe një të drejtë demokratike, protestën-homazh të opozitës të zhvilluar ditën e sotme.

Zëdhënësja e komisionerit evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle ka
deklaruar në një intervistë për Top Channel se është shumë e
rëndësishme që të ruhet qetësia dhe palët të kenë përgjegjshmëri për
veprimet e tyre.

TCH: Një manifestim tjetër u thirr sot nga opozita në përkujtim të tre viktimave të së premtes së kaluar. Një pjesë e komunitetit ndërkombëtar bëri thirrje që kjo të mos realizohej, po ju ç’mendim keni?

Natasha Butler: “Liria për t’u shprehur dhe liria për t’u mbledhur janë të drejta demokratike bazë. Pra, është e rëndësishme që ato të zhvillohen. Megjithatë, me duhet t’ju kujtoj dy qëndrimet e BE-së javën e kaluar e do t’ua përsëris thirrjen tonë për qetësi nga të dy palët. Bëjmë thirrje për përgjegjshmëri. Është e rëndësishme mospërsëritja e dhunës dhe vendosja e shtetit ligjor në Shqipëri. Është e rëndësishme që të evitohet çdolloj provokimi, qoftë në gjuhën e përdorur apo në veprime”.

TCH: Në anën tjetër, ka një hetim nga prokuroria për ngjarjet e 21 janarit. Si i shihni deklaratat publike të Kryeministrit kur e quan prokuroren e përgjithshme gënjeshtare e se ajo është pjesë e grushtit të shtetit?

Natasha Butler: Dëgjoni, ne kemi kërkuar që hetimet të jenë gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë se hetimet duhet të bëhen bashkarisht nga qeveria e opozita, pra nga të gjitha partitë politike dhe aktorët politik duhet të marrin pjesë në këtë hetim. Është e qartë se nevojitet që ndarja e pushteteve të zbatohet, e kjo kërkohet nga të gjitha vendet kandidate apo potencialisht kandidate. Pra, ndarja e pushteteve duhet të aplikohet në Shqipëri.

TCH: Kur thoni se opozita e mazhoranca duhet të marrin pjesë në hetim, i referoheni hetimit të Prokurorisë apo hetimit të vetë atyre. Pasi ka edhe një komision parlamentar që po heton?

Natasha Butler: Në fakt nuk dua të komentoj krijimin e komisionit parlamentar e as mbi modalitetet sesi ky komision u ngrit. Ajo që është e rëndësishme për ne është që hetimet të kryhen nga bashkësia e gjithë aktorëve e që të jetë objekt konsensusi, në mënyrë të tillë që të mund të përparojmë e të gjejmë një zgjidhje të pranueshme politike nga të gjitha palët, në mënyrë që Shqipëria të dalë vërtetë nga kriza ku po zhytet.

TCH: Ka patur një letër që komisioneri Fyle e përmendi vetë në Parlamentin Europian se ia kishte dërguar qeverisë në 18 janar. A mund të na thoni diçka më shumë rreth mesazheve që Komisioneri i ka përcjellë kryeministrit Berisha në këtë letër konfidenciale?

Natasha Butler: Ka patur disa mesazhe. Së pari, se është e rëndësishme që Shqipëria të veprojë në mënyrë të vendosur për prioritetet kyçe, e që ajo të bëjë progres në to, përndryshe Shqipëria rrezikon të vonohet krahasuar me vendet e tjera potencialisht kandidate fqinje. Së dyti, ka sfida të ngritura nga OSBE-ODIHR gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Këto rekomandime duhet të zbatohen nga qeveria dhe është e domosdoshme që ato të përmbushen në kohë, në mënyrë që zgjedhjet lokale të majit 2011 të jenë brenda standardeve europiane e ndërkombëtare. E siç e dini, Shqipëria duhet të modifikojë kuadrin e saj ligjor, e këto rekomandime tregojnë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria në mënyrë që në planin elektoral ajo të mund të mbajë zgjedhjet e majit e që zgjedhjet lokale të 2011-s të mund të përmbushin standardet ndërkombëtare. Së fundi, është theksuar se ne gjykojmë të domosdoshme që liderët politikë të dëshmojnë prova përgjegjshmërie në gjetjen e një zgjidhjeje dhe është shënuar gatishmëria e komisionerit për të qenë i pranishëm atje, nëse ka ftesë nga të dy partitë politike.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel