BE: Protesta e VV, kundër parimeve tona

16/01/2011 00:00

Diplomacia europiane ka kritikuar protestuesit dhe ka lavdëruar autoritetet e Kosovës, pas përplasjeve të fundjavës në dy pika kufitare të vendit.

“Shprehim keqardhje për dhunën që shpërtheu këtë fundjavë, dhe në përgjithësi, mendojmë se policia kosovare e menaxhoi mirë situatën. Ne besojmë se demonstrata të tilla janë krejtësisht të pajustifikuara, pasi ato ngrihen kundër njërit prej parimeve themelore të BE-së: lëvizjes së lirë të mallrave. Ne kemi punuar fort me autoritetet kosovare për të jetësuar një parim të tillë, kundër të cilit demonstron një zinxhir njerëzish”, tha Michael Mann, zëdhënësi Catherine Ashton.

Nga Parlamenti Europian, raportuesja Ulrike Lunaçek bën thirrje për një hetim të pavarur të ngjarjeve:

“Po, kam bërë thirrje për një hetim të pavarur. Sipas informatave në media, nëse protesta nuk ishte e dhunshme, mesa duket është përdorur forcë e tepërt dhe shpreh keqardhje për këtë, pasi njerëzit, si nga ana e protestuesve si nga ana e policisë së Kosovës, u plagosën,” reagoi Lunaçek.

Eurodeputetja austriake kritikon gjithashtu VV për organizimin e kësaj proteste, me të cilën, sipas saj, “ata ndihmojnë vetëm qeverinë serbe, pasi tani po përdorin të njëjtat metoda si serbët, duke bllokuar rrugët”.

Raportuesja këshillon të vijohet me dialogun e Brukselit dhe jo me konflikte në Kosovë.

 

Pergatiti: Arta Tozaj 

Top Channel