Videoja e Metës, nisin hetimet

12/01/2011 13:00

Pas shfaqjes në emisionin “Fiks fare” në Top Channel të një materiali filmik, regjistruar në zyrën e ish ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, ku tregohej zëvendëskryeministri dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili udhëzonte ish ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti të manipulojë tenderin e një hidrocentrali, në favor të një kompanie private të afërt me të, Prokuroria ka deklaruar zyrtarisht nisjen e hetimeve.

Pas tërmetit politik që shkaktoi publikimi i këtij përgjimi, Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka regjistruar proçedimin penal për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Prokuroria ka deklaruar se në funksion të këtij proçedimi, ka vendosur sekuestrimin e kasetës filmike të shfaqur në emisionin “Fiks fare” si provë materiale.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se paralelisht me këtë sekuestrim, grupi hetimor do të kryejë edhe veprimet e nevojshme hetimore, çka praktikisht nënkupton që zëvendëskryeministri Meta dhe deputeti Prifti, pritet që të thirren të dëshmojnë në Prokurori në cilësinë e personave në dijeni mbi çështjen.

Ndërkohë që Prokuroria do të sekuestrojë edhe materialet shkresore për tenderin e hidrocentralit në Ministrinë e Ekonomisë, e cila drejtohet aktualisht nga zoti Meta.

Vetëm në rastin kur Prokuroria do të gjejë elemente të kryerjes së veprës penale, ajo më pas do të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetëve Dritan Prifti dhe Ilir Meta, pavarësisht se ky i fundit deklaroi publikisht se heq dorë vullnetarisht nga imuniteti.

Në proçedurën ligjore duhet të jetë parlamenti ai që vendos nëse duhet të ketë imunitet apo jo.

Top Channel