Sonte shpallet talenti

17/12/2010 16:05

“Albanians Got Talent” ka mbërritur në finale. Mbrëmja e fundit do të nxjerrë edhe talentin shqiptar, fitues të këtij spektakli, që do të fitojë çmimin prej 20.000 eurosh.

Janë nëntë konkurentët e dalë nga tre fazat gjysmëfinale, që do të performojnë me nga një numër të ri. Do të jetë publiku që do t’i gjykojë ata, duke votuar në numrin 5509, ndërkohë që juria do të japë vetëm gjykime profesionale. Votimi do të nisë pasi të kenë mbaruar të gjitha performancat e konkurentëve. Ndërkohë që do të pritet rezultati, spektakli do të vazhdojë me një kolazh me numra të rinj të ish-konkurentëve të fazave gjysmëfinale, për t’i risjellë në vëmendjen e teleshikuesve. Por jo vetëm ata, do të jenë edhe prezantuesit Albana Osmani dhe Benet Kaci, që do të performojnë.

“Unë, Albana dhe balerinët e Top Channel kemi përgatitur një performancë shumë të bukur nga filmi “Moulin Rouge”. Unë do të këndoj dhe Albana do të vallëzojë me trupën e baletit”, shprehet Benet Kaçi.

Me autor Rezart Agën, regji të Ergys Lubonjës dhe skenografi të Fatmir Mingës, mbrëmja finale e “Albanians Got Talent”, sot në 20.45.

Top Channel