Përmbytjet, Shkodra fillon të clirohet

11/12/2010 13:15

Përmirësimi i motit në dy ditët e fundit, edhe pse shoqëruar me uljen e ndjeshme të temperaturave, ka cuar në zbutjen e situatës në Shkodër.

Uji ka nisur të clirojë rrugët dhe lagjet e qytetit që i mban të pushtuar prej më shumë se dy javësh.

Kështu, vihet re një tërheqje e ujit prej më shumë se 500 metra nga qyteti dhe niveli ka rënë me rreth 40 cm.

Ky përmirësim i situatës ka bërë që sot në lagjet e përfshira nga përmbytjet të kalohet me automjete të larta.

Gjithashtu, raportohet dhe për një ulje të nivelit të ujit në zonat e Nënshkodrës, ku ka ngushtim të sipërfaqeve të përmbytura nga 11900 hektarë në 11820 hektarë nën ujë.

Ndërkohë që numri i shtëpive të përmbytura dhe aytre në prezencë uji është i njëjtë, pasi uji edhe pse ka ulur nivelin vazhdon të mbajë të pushtuara tokat.

4660 shtëpi të përmbytura tërësisht dhe 3493 shtëpi në prezencë uji, por ky numër është më i vogël krahasuar me tre ditë më parë.

Ndërkohë, ka pasur edhe rënie të shkarkimeve nga Vau i Dejës, që gjatë ditës së sotme janë pakësuar me 170 m3 ujë në sekond.

Ndërsa lajmi i fundit nga shtabi i emergjencës në prefekturën e Shkodrës është se banorët e evakuar në fshatin Gur i Zi janë duke u kthyer në banesat e tyre.

Por ulja e temperaturave ka krijuar mjaft probleme për banorët që qendrojnë për të ruajtur banesat e përmbytura, ku jetesa është shumë e vështirë.

Nga situata që shihet në terren, nëse do vazhdojë të ketë mot me diell, pritet që brenda pak ditëve, të paktën në qytetin e Shkodrës, të fillojë qarkullimi normal i automjeteve në zonat e përfshira nga përmbytjet.

Top Channel