Rama: Berisha mendon për shirita

10/12/2010 20:45

Propozimin për rishikimin e buxhetit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama e quajti të vetmen zgjidhje në këtë situatë të rëndë përmbytjesh ku dëmet, sipas tij, janë në shifra marramandëse.(UPDATE)

Ndërsa refuzimin e kryeministrit për ta marrë parasysh këtë propozim lideri i opozitës e cilësoi tregues të vullnetit antipopullor të qeverisë aktuale.

Sipas tij, qeveria ka zgjedhur të shpenzojë paratë e buxhetit për ato që ai i quajti shirita elektrorale dhe jo për zonat e përmbytura.

“Është koha që të ndryshojë tërësisht fokusi i investimeve në infrastrukturë, duke hequr dorë nga shiritat elektoralë dhe duke vendosur një fond të konsiderueshëm për të filluar nga rivënia në punë e të gjithë një sistemi të shkatërruar kanalizmesh, argjinaturash mbrojtëse, mirëmbajtje të territorit dhe deri në pastrimin e plehrave”, është shprehur Rama.

Duke trajtuar propozimin për rishikin e buxhetit si hallkë të të njëjtit zinxhir me atë të ofertës për zgjidhjen e krizës politike, kryesocialisti tha se të gjithë dështimet e kabinetit aktual janë pasojë e zgjedhjeve të manipuluara.

“Pushteti i vjedhur i Sali Berishës i cili ka dështuar në qeverisjen e këtij vendi dhe kërkon të qëndrojë aty ku është duke vjedhur përsëri votat, refuzon të bëjë transparencën e zgjedhjeve dhe zvarrit pafundësisht zgjidhjen e një krize politike të cilën e ka shkaktuar Saliu, por e paguajnë përditë shqiptarët”, tha Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të mos u tërhequr përballë kërkesave të saj për transparencë.

“Të jeni të sigurtë që protestat do të vazhdojnë. Ka pasur vetëm një moment ndërprerjeje thjesht për shkak të situatës së krijuar. Që prej të martës së ardhshme protestat do të vazhdojnë duke filluar nga Durrësi”, deklaroi Rama.

Më parë gjatë ditës, kreu socialist Edi Rama priti në takimin e parë ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, me të cilin, përveç prezantimit, ka diskutuar problematikën e përmbytjeve dhe çështjet që shqetësojnë politikën.

Top Channel