Kuvendi, asnjë ligj i kalendarit nuk është gati

09/12/2010 08:50

Përmbytjet shtyjnë seancën e Parlamentit. Kuvendi nuk do të mblidhet sot në seancë plenare për shkak se një pjesë e mirë e deputetëve ndodhen në Qarkun e Shkodrës për shkak të përmbytjeve.

Në fakt, shtyrja e seancës së Parlamentit lidhet me dy arsye. E para, është vendimi i kryesisë së Kuvendit për shtyrjen e seancës për shkak të përmbytjeve dhe arsyeja e dytë është mungesa e projektligjeve për votim në Kuvend.

Përmbytjet në Shkodër sollën mbylljen e punimeve të Parlamentit. Ky është justifikimi i parë që sjell administrata e Kuvendit.

Ndërsa po të shikosh kalendarin e punimeve të miratuar në Konferencën e Kryetarëve vihet re se pesë projektligjet e përcaktuara në rendin e ditës për seancën e 9 dhjetorit nuk kanë përfunduar në shqyrtuari dhe miratuari në komisionet parlamentare.

Kanë ngelur edhe dy seanca deri në fundin e muajit dhjetor, ku në njërën prej tyre do zhvillohet edhe mocioni me debat për Kryetaren e Kuvendit.

Përmbytjet

Administrata e Kuvendit ka lajmëruar të gjithë deputetët për mosmbledhjen e seancës ditën e sotme duke dhënë edhe arsyen për shtyrjen e Parlamentit.

“Njoftohen të gjithë deputetët se seanca plenare e ditës së enjte dt 9.12.2010 nuk do të zhvillohet për shkak të impenjimit të deputetëve në zonat e përmbytura në funksion të përballimit sa më të mirë të situatës së fatkeqësisë natyrore në Qarkun e Shkodrës”, thuhet në njoftimin e administratës së Parlamentit.

Seanca plenare e Kuvendit nuk do të mblidhet sot, pasi deputetët janë të angazhuar në pjesën më të madhe të tyre. Nuk ka ende një informacion të dytë se kur do të zhvillohet seanca e radhës, por thuajse të gjithë deputetët e mazhorancës dhe ministrat ndodhen në lëvizje të shpeshta në Qarkun e Shkodrës.

Po kështu, edhe deputetët e opozitës kanë shkuar në zonat e përmbytura për të qenë sa më pranë të dëmtuarve nga reshjet dhe shkarkimet e ujërave nga digat e hidrocentraleve.

Arsyeja e dytë e shtyrjes së Kuvendit, e cila kalohet në heshtje, është edhe mungesa e projektligjeve.

Mungesa e projektligjeve

Në rendin e ditës së seancës plenare përveç diskutimit të lirë 60 minuta ishin parashikuar 5 projektligje, ku asnjë prej tyre nuk ka marrë miratimin final nga komisionet parlamentare.

Akti normativ për “disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, ka marrë miratimin vetëm në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Ekonomisë nuk është diskutuar ende.

Po kështu, edhe projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar” ende nuk ka marrë miratimin e Komisionit të Ekonomisë.

Edhe drafti me ndryshime për sektorin e energjisë elektrike nuk ka marrë një miratim përfundimtar nga komisionet çka pengon votimin në sallën e Parlamentit.

Top Channel