Kronologjia e një fatkeqësie

07/12/2010 18:50

Përmbytjet e kanë shoqëruar Shqipërinë që nga java e parë e 2010-ës e deri në javët e fundit të saj.

Kronologjia e përmbytjeve fillon që nga data 7 janar, ku nga reshjet e shumta përmbytet zona e Nënshkodrës, disa lagje të qytetit të Shkodrës dhe disa zona në Malësinë e Madhe.

Shkarkimet e detyrueshme të kaskadave kanë vërshuar duke mbuluar mijëra hektarë tokë dhe shtëpi. Këto pamje nga helikopteri të regjistruara në janar të këtij viti eksluzivisht nga Top Channel, paraqesin realisht bilancin e përmbytjeve.

Pasojat e përmbytjeve vihen më në pah veçanërisht disa ditë pas reshjeve. Ja si është situata 1 javë më pas, më 12 janar të këtij viti.

Grumbullimi i ujrave në qytet ka ndodhur për shkak të zgjerimit të liqenit të Shkodrës, por dhe bllokimit të kolektorëve shkarkues. Kanalizimet që mundësojnë kullimin e ujit nuk funksionojnë për shkak të rritjes së lartë të nivelit të liqenit dhe përveç kësaj janë bllokuar dhe kanalizimet e ujërave të zeza.

Në fund të muajit situata vazhdon të jetë e rënduar. Kronika e datës 30 janar, tregon pamje të familjeve në lagjen periferike Livadhe të Shkodres që nuk kthehen dot në shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve. Shumë prej tyre kanë paraqitur ankesa për ekspertizën që u është bërë shtëpive apo bagëtive të tyre.

“Shtëpitë janë të pabanueshme dhe orenditë janë shkatërruar të gjiyha”, shprehen banorët.
   
Një muaj më pas, kthehet frika nga përmbytjet. Më 25 shkurt, reshjet e larta, kanë dyfishuar hartën e përmbytjes e cila është shtrirë në gjithë zonën e Nënshkodrës, dukë përfshirë pjesën periferike të qytetit si dhe komunat Dajç, Ana e Malit, Velipojë, Bërdicë, Bushat dhe Gur i Zi.

Pas disa muajsh, në nëntor rikthehen sërish përmbytjet.
Me 11 nëntor Mbishkodra dhe Nënshkodra janë gdhirë nën ujë për shkak të shkarkimeve të hidrocentraleve mbi kaskadën e Drinit. Fillon sërish ankthi i përmbytjeve. Ndërkohë që jepet alarmi se gjithë dimri do të jetë i lagësht. Uji ka vërshuar dhe në Fushë-Krujë dhe gjithë Ultësirën. Bllokimet e rrugëve në veri të vendit kanë shkaktuar izolimet e shumë fshatrave e komunave.

Më 30 Nëntor, harta e përmbytjeve zgjerohet. Dalja e Bunës pengohet nga prurjet e lumit Drin duke penguar rrjedhjen e saj natyrale. Si pasojë Buna i afrohet gjithnjë e më shumë zonave të përmbytura duke shtuar me dhjetra centimetra më lart nivelin e ujit.

Më 3 dhjetor, situate përkeqësohet në shumë zona të vendit. Në Shkodër, në pjesën më të madhe të lagjeve lëvizet vetëm me varkë. Krijohen probleme me furnizimin me ushqim.

Gjithashtu autostrada Tiranë- Durrës përmbytet duke krijuar vështirësi në qarkullim.

Më 4 dhjetor ushtria me gomone e helikopterë është e vetmja mundësi për furnizimin me ushqime për banoërt e izoluar. Dhjetra fshatra të Shkodrës janë krejtësisht nën ujë duke penguar jetën e përditshme të banorëve të cilët janë evakuar për të mbijetuar.

Fushë-Kruja përmbytet nga lumi Mzez. Mbi 500 banesa e 300 biznese të ndryshme u mbuluan nga uji, ndërsa familjet u detyruan të evakuohen. Po ashtu dhe lagje të tëra të Durrësit janë përmbytur. Situata paraqitet e vështirë dhe në jug të vendit.

Por lajmi i keq është se përmbytjet, nuk do jenë pronë e vitit 2010, por do kalojnë dhe pragun e vitit që vjen. Sinoptikanët parashikojnë reshje të vazhdueshme gjatë gjithë periudhës së dimrit.

Top Channel