CNN: Shqipëria, e përmbytur

06/12/2010 12:50

Përmbytjet në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Rrjeti CNN po e pasqyron në vazhdimësi situatën e rëndë në Shkodër, duke nënvizuar se mijëra hektarë tokë janë mbuluar nga uji dhe 12 mijë persona janë evakuuar.

Duke zgjedhur pamjet e kameramanëve të Top Channel, marrë nga helikopteri, CNN paraqiti shtëpitë dhe tokat e mbuluara nga uji në Shkodër.

“Javë të tëra shirash kanë shkaktuar përmbytje në Ballkan. Në Shqipëri kërcënimet e rrëshqitjeve të dheut paraqesin një tjetër rrezik nga zonat e goditura nga uji. Zyrtarët thonë se 12 mijë persona janë zhvendosur drejt zonave më të sigurta, ndërsa 2500 shtëpi janë përmbytur. Agjencitë e lajmeve thonë se shumë rrugë nacionale janë të pakalueshme. Ushtria dhe policia janë thirrur për të ndihmuar për përmbytjet”, thuhet në raportimin e CNN.

Rrjeti CNN shton se qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona të mbuluara nga uji, ndërsa përsa i takon dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, duhet kohë për të patur një shifër zyrtare. Pavarësisht asistencës së kërkuar NATO-s, më shumë ndihmë u duhet banorëve në veriperëndim të Shqipërisë, të cilët duhet të përdorin varkat për të lëvizur dhe për të plotësuar nevojat e jetës së përditshme.

Top Channel