Berisha: Projekte afatgjata për Shkodrën

06/12/2010 13:35

Kryeministri Sali Berisha e përkufizoi si shumë të vështirë dhe komplekse situatën në qytetin e Shkodrës dhe komunat e përmbytura përreth saj.

Në mbledhjen e përjavshme me deputetët demokrate, pas detajimit të situatës, kryeministri Berisha tha se po bëhen përgatitjet për një evakuim afatgjatë të mbi 12 mijë banorëve.

“Situata është e vështirë. Evakuimi nuk është afatshkurtër sic do ta donim”, ka deklaruar Berisha.

Një nga problemet kryesore që theksoi kryeministri Berisha është furnizimi me ushqime i banorëve të paevakuuar brenda në Shkodër.

“Ka qenë një operacion i komplikuar, sidomos në Shkodër, ku gjysma e tij është sot është si Venencia. Edhe tani që flasim ka nga ata që ende nuk u kanë mbërritur ushqimet dhe uji. Por në mënyrë absolute është bërë cdo përpjekje për të shpërndarë cdo lloj ushqimi, për cdo familje”, ka pohuar Berisha.

Në mbledhjen me deputetët demokratë, kryeministri Berisha deklaroi se qeveria ka gati disa projekte afatgjata, të cilat nuk eliminojnë ndoshta tërësisht përmbytjet në të ardhmen, por i zvogëlojnë ato.

“Dua t’i garantoj qytetarët e Shkodrës se qeveria krahas ndërhyrjes imediate ka gati përpjekjet afatgjata, që bëjnë të mundur zvogëlimin në shkallë të lartë të përmbytjeve. Ne do bëjmë gjithcka që ato të kenë përmasat sa më të vogla. Ky kompleks projektesh ka lidhje me Bunën, argjinaturat, Skavicën dhe ndërhyrje të tjera. Po bëjmë përpjekje që ta realizojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka bërë të ditur kryeministri.

Për shkak të situatës së përmbytjeve, kryeministri Berisha kërkoi që me mirëkuptimin e opozitës, seanca plenare e së enjtes të shtyhet në mënyrë që të shfrytëzohet koha pa reshje.

Përmbytjet kanë shtyrë për më vonë edhe disa festime me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, që shënon edhe 20 vjetorin e pluralizmit në Shqipëri.

Top Channel