Thaçi rizgjidhet kryetar i PDK-së

24/10/2010 15:50

Ashtu siç edhe pritej Hashim Thaçi u rikonfirmua si kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në garën e mbajtur paraditen e sotme, ku përballë nuk pati rival.

Në Kuvendin e Pestë të kësaj force politike kryeministri Thaçi ka mundur të marrë në unanimitet besimin nga përfaqësuesit e PDK-së.

Në fjalën e tij pas rizgjedhjes, kryeministri foli për situatën politiko-institucionale të Kosovës vetëm një javë nga dalja nga qeveria e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Thaçi nuk ka përdorur termin zgjedhje të jashtëzakonshme, por ka preferuar të shprehet për “zgjedhje shumë shpejt”.

“Jemi të detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi i partnerit tonë për t’u larguar nga qeverisja që të shkojmë në zgjedhje shpejt, në zgjedhje që të përcaktohet gjithçka sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, tha Thaçi.

Menjëherë pas rizgjedhjes kreu i PDK-së akuzoi ish-partnerin në qeverisje, LDK se me vendimin befasues për t’u larguar nga qeveria ka krijuar boshllëk institucional.

Top Channel