Rikthimi te gjykatat e komunizmit?

20/10/2010 00:00

ANDREA STEFANI – Ndërsa një nga kushtet themelore për integrimin e
Shqipërisë në BE mbetet pavarësimi i gjyqësorit nga pushteti politik,
shtohen rastet që të bëjnë të kuptosh se po ndodh krejt e kundërta.

Në vend se të jenë kontrolluese dhe baraspeshuese të qeverisë me anë të zbatimit të së drejtës, gjykata të niveleve të ndryshme po shfaqen në vendimet e tyre gjithnjë e më në sinkron me vullnetin e kryeministrit dhe të qeverisë. Rasti më i fundit është ai i vendimit të Gjykatës së Tiranës për ta cilësuar si të paligjshme grevën e urisë të një grupi të përndjekurish politikë. Dukuria nuk është e panjohur në Shqipëri dhe na kthen prapa në kohën kur gjykatat ishin jo zbatuese të së drejtës por të vullnetit të partisë dhe liderit në pushtet. Si të tilla, gjykatat u shndërruan dje në armën kryesore të diktaturës për dënimin “me ligj” të “armiqve të popullit”. Sot ato po shndërrohen në armën kryesore të një pushteti autokratik për asgjësimin e të drejtave dhe lirive të njerëzve dhe të krejt demokracisë në Shqipëri.

***

Gjykatat e pavarura nuk kanë qenë pjesë e traditës së thellë politike në Shqipëri. Por gjatë periudhës komuniste, projekti i krijimit të gjykatave të pavarura, që kish nisur të skicohej në mendimin politik shqiptar para Luftës së Dytë Botërore, mori një goditje rrënuese. Diktatori Enver Hoxha e kuptoi shumë shpejt se gjykata të pavarura do të thotë drejtësi dhe se kjo e fundit, nga ana e vet, do të thotë njerëz të lirë. Në prezencë të gjykatave të pavarura dhe të drejtësisë që ato gjenerojnë nuk mund të ushtroheshin format e terrorit shtetëror (vrasjet, pushkatimet, burgosjet, internimet, presionet e shantazhet e pushtetit) mbi njeriun që në thelbin e tyre, janë padrejtësi. Shkurt me gjykata të pavarura, diktatura ishte e pamundur. Enver Hoxha e kuptoi se kusht themelor për diktaturën ishte një situatë e ngritur në sistem, ku njeriu të mos kishte mundësi se ku ta kërkonte dhe gjente të drejtën. Gjykatat do të ekzistonin, por në mënyrë të tillë që njerëzit të gjenin në to vetëm atë “drejtësi” që ishte mishërim i vullnetit të Enver Hoxhës dhe PPSH. Ishte pikërisht kjo kapje që bëri të mundur paradoksin e shpalljes së krimeve shtetërore (vrasjeve, pushkatimeve apo burgosjeve) si drejtësi. Spartak Ngjela e ka shpjeguar shumë mirë këtë dukuri në librin e tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Enver Hoxha kishte nevojë të fabrikonte armiq të pushtetit dhe “armikun” e seleksionon jo gjyqi apo një proces gjyqësor, por Partia, domethënë shteti. E gjitha kjo gjendje nuk lejonte të kishte gjyqtarë, por rrogëtarë që bënin një punë të imponuar”- shkruan Ngjela. Dhe shpjegon më tej se gjykata komuniste qe një “instrument i pështirë që i takonte më shumë torturës sesa gjykimit”, një “makinë e verbër” që nuk kishin asgjë në dorë por vetëm të legalizonin një dënim që ua kërkonte Sigurimi i Shtetit pra Partia dhe Enveri.

 

***

Duke bërë një krahasim me të sotmen mund të themi se, mjerisht, nuk jemi shumë larg asaj situate. Veçanërisht kur është fjala për gjykime me një konotacion të fortë politik, gjykatat në Shqipëri po priren gjithnjë e më shumë të japin vendime që harmonizohen dukshëm me vullnetin apo kapriçiot e qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Thamë se një rast i tillë është ai i Gjykatës së Tiranës që mori një vendim për cilësimin të jashtëligjshme të grevës së të përndjekurve politikë, një vendim në përputhje me dëshirën dhe vullnetin e qeverisë për ta ndalur grevën pa negociuar me grevistët. Por ka dhe shumë raste të tjera. Më të spikaturat janë ato lidhur me tragjedinë e Gërdecit, me skandalin e rrugës Durrës-Kukës, me masakrën e 21 janarit, me vrasësit e Remzi Hoxhës, me vendimin e Kolegjit Zgjedhor lidhur me fituesin e Bashkisë së Tiranës apo me videoskandalin Meta-Prifti. Madje ky rast i fundit, po komentohet ende në relacionet e ndërkombëtarëve për situatën në Shqipëri, si një zhvillim ekstremisht komprometues për pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha janë shembuj të konformimit të gjykatave me dëshirën e partisë në pushtet, duke dhunuar të drejtën, duke shpallur të pafajshëm jo vetëm zyrtarë të korruptuar por edhe të tillë që kanë kryer vrasje politike! Por nuk ka ndodhur askund që demokracia të zhvillohet pa një pushtet të pavarur drejtësie. E kundërta është provuar. Madje ekzistenca e një pushteti të pavarur drejtësie kompenson, në njëfarë shkalle, në favor të demokracisë edhe mungesat ekonomike dhe financiare të një shoqërie a një shteti. Kështu, demokracia mund të ndërtohet edhe në një shtet relativisht të varfër si Shqipëria, nëse krijohet drejtësia e pavarur. Është fakt historik se pas largimit të britanikëve nga India, demokracia atje u bë e mundur në kushtet e një varfërie masive, edhe sepse ekzistonin gjykata të pavarura. Por këto të fundit u bënë të mundura, në radhë të parë, për faktin se lideri i partisë në pushtet, Kryeministri Nehru, kishte një respekt të jashtëzakonshëm për pavarësinë e gjykatave dhe nuk tentonte të ndikonte aspak vendimet e tyre edhe kur ato shqyrtonin çështje me rrjedhoja të forta politike. Nehru nuk tentoi asnjëherë t’i shndërronte gjykatat në zgjatime formale të vullnetit të tij, në trukuese me “ligj” dhe “drejtësi” të padrejtësisë dhe krimeve të pushtetit. Sikundër ka ndodhur në Shqipëri me Enver Hoxhën. Sikundër po ndodh edhe me “demokratin” Sali Berisha, i cili e nisi karrierën me prodhimin e gjykatësve në kursin e “Plepave” dhe po e mbyll gjakimin e pafjetur për ta shndërruar sistemin gjyqësor në një zbatues të verbër të vullnetit të tij tiranik.

Gazeta “Shqip”

Top Channel