Duam apo nuk duam institucione të pavarur?

20/10/2010 00:00

ARTUR LAZEBEU – Teksa rekomandimi i shumëpritur për t’i dhënë vendit
tonë statusin e kandidatit për në BE tërhiqte vëmendjen për
mirëfunksionimin e institucioneve të pavarura, e freskët më erdhi
ndërmend përballja e ish-kolegut tim, komisioner pranë Avokatit të
Popullit, për punë buxheti në Komisionin e Ligjeve.

Atëherë hodha ca shënime, aspak për t’u marrë me përllogaritjet në alokimin e buxhetit. Kryefilli kam shkruar dhe pasqyruar në raportet vjetore se në kushtet e krizës, edhe Avokati i Popullit nuk kish përse të trajtohej në mënyrë të privilegjuar. Nuk ishte dhe as është shqetësimi tek buxheti. Në media lexohej si ankim një vërejtje jo pa vend: “… kështu cenohet pavarësia e institucionit”. Këtu dua të ndalem. A ka lidhje të drejtpërdrejtë puna e buxhetit me pavarësinë e institucionit? Përvoja më sugjeron se Jo. Po ende praktika ka dëshmuar se pavarësia nuk është as çështje pagash, as moshe, as titujsh e as gradash. Kush mendon se administrata do t’i bindet Ombudsmanit njëlloj siç i bindej arusha Mira të famshmit Baçova, mendoj se do të duhet të moderojë pritshmëritë. Kjo nuk ndodh as në Danimarkë, e cila nuk është europiane, por më shumë se kaq.

Sakaq, i kuptueshëm, por i panevojshëm ai shfrim ndaj Institucionit të Ombudsmanit nga njëri prej koordinatorëve të grevës së urisë, tanimë temë dite dhe muaji bashkë. Kur pritej apo sa kish dalë një vendim gjykate, një institucion i pavarur nuk mundet veçse ta respektojë atë. Po i mbyll këto dy miniargumente, me pritshmërinë e korrektuar se një institucion si ky, në çdo rast, mund të jetë më pak a më shumë pjesë e zgjidhjes, assesi e problemit. Kjo, për hir të së vërtetës, mirë a keq na vjen.

Kryeargumenti është pavarësia si standard dhe parim bazik jo vetëm për këtë institucion. Pavarësia është sa çështje e sistemit, aq edhe e mentalitetit, profesionalizmit dhe qytetarisë së personit, që garanton edhe integritetin e institucionit, qoftë ky President i Republikës, Kryetar a Kryesi e KQZ-së, Prokurori e Përgjithshme etj. Përtej fondeve, alokuar përvitshëm, rëndësi ka koncepti për trajtimin e institucioneve të pavarura, praktikisht raportimi me to. E marrim për të mirëqenë faktin se Parlamenti dhe qeveria e njeh dhe pranon se, fjala vjen, Ombudsmani është një institucion i ngritur me Kushtetutë, jo me ligj. Ashtu si ka dallim mes atij “me ligj” dhe tjetrit “me Kushtetutë”, nuk ka përse të ketë diskriminim mes institucioneve të të njëjtit status. Edhe sikur të bëhej fjalë vetëm për pagat e punonjësve të stafit mbështetës. Kur flasim për varësinë a pavarësinë, nuk flitet se cili institucion është më i fortë. Nuk mund të jetë në pyetje as edhe se Kush zgjedh Kë. Të gjithë janë të fortë për aq sa këtë ua njeh ligji. Kjo është çështje vizioni dhe jo thjesht kalkulimesh pragmatike të tipit “kush ka më shumë në dorë” apo kush ka qesen. E nëse flasim për vizion, atëherë le t’i qëndrojmë statusit ligjor dhe praktikave më të mira, të cilat fillojnë që nga trajtimi financiar e deri tek dëgjueshmëria, fjala vjen, e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, e urdhëresave të Prokurorisë, vendimeve të gjykatave e me radhë. Nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë/ve se si e percepton një institucion. Është edhe përgjegjësi e institucionit që të ndryshojë perceptimin, duke krijuar raporte konstruktive mbi bazën e partneritetit kritik me qeverinë. Këtu flasim jo vetëm për ministrat, por edhe për pushtetarët lokalë, të cilët kanë përgjegjësinë që decentralizimin dhe parimin e subsidiaritetit (qeverisjes pranë njerëzve) ta kthejnë në një realitet të prekshëm, pritshmërisht më të mirë për vendin dhe njerëzit, të cilëve u kanë dhe marrë votën.

Si subjekt me personalitet juridik autenticitar, qeveria është përgjegjësja kryesore për gjendjen e të drejtave të njeriut në një shtet. Përgjegjësia e institucioneve të pavarura ligjzbatuese, gjyqësore, rekomanduese a kuazigjyqsore është ushtrimi i fuqisë së tyre nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut. Nuk mund të jetë në zgjedhjen e institucioneve të pavarura, përkatësisht të titullarëve të tyre, as ta nënvlerësojnë, as ta mbivlerësojnë rolin dhe fuqinë e tyre që rrjedh nga Kushtetuta dhe ligjet. Është një sistem i tërë instrumentesh ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare që detyrojnë qeverinë dhe institucionet e pavarura të bashkëveprojnë për një qëllim të përbashkët, shtetin e së drejtës me fokus të drejtat e njeriut. Kjo përkthehet në mirëqeverisje. De jure. De facto, ende nuk kemi dalë përtej kufijve të gjithëpranimit të teorisë së shtetit të së drejtës. Zbatimi mik, zbatimi! Realiteti praktik, i prekshëm për gjithkënd, sot i ofrohet qytetarit shqiptar si tërësi institucionesh që konfigurojnë tre pushtetet, shtuar atyre edhe një tërësi tjetër institucionesh të pavarura. Shtrirja në gjerësi sipas fushave dhe ushtrimi në thellësi sipas performancës, përbëjnë atë proces që quhet shtetndërtim. Ekuacioni është: çfarë institucionesh ke, si të funksionojnë? Patologjia e shtetndërtimit tonë paraqet akoma një zhvillim funksional të hallakatur, që nuk dëshmon efektivisht një qasje holistike e të integruar me recetën e angazhimeve. “Oh sa rrugë ka, gjer gjumi t’më zë/ oh sa rrugë kam, gjer gjumin ta zë”, shkruan poeti amerikan Robert Frost. Kjo vazhdon të ngelet sfidë për qytetarin, për qeverinë, kjo vazhdon të ngelet sfidë edhe për institucionet e pavarura. Pa mohuar se meritat për arritjet shkojnë në përpjesëtim me përgjegjësitë përkatëse.

Sasia dhe cilësia e ligjeve nuk dëshmojnë më shumë se sa vullnet aspirues. Ky konstatim në terma pozitivistë nuk mund t’i mohohet klasës politike. Kjo arritje e legjislativit, shoqëruar edhe me disa reforma strukturore, si premisa, por jo rezultate në luftën kundër korrupsionit; më anë tjetër, përpjekjet për të ruajtur treguesit makroekonomikë (referuar disa treguesve të Bankës Botërore) dhe një sistem tashmë të vendosur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë një realitet i certifikuar prej vitesh nga aktorët ndërkombëtarë. Një ndër to, në plan global dhe jo vetëm europian, është mekanizmi i kontrollit që OKB ushtron çdo katër vjet, ndaj të 192 shteteve të saj, përmes Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria i është nënshtruar për herë të parë diku nga 4-5 dhjetori i 2009-s, e do t’i nënshtrohet përsëri diku nga fundi i 2013-s. E evidentova këtë fakt, për të risjellë test-argumentin për sa po trajtoj, se një Institucion si Avokati i Popullit, certifikuar me statusin A të Strukturave Kombëtare për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut, ka të drejtën e dhënies së vlerësimit të tij të pavarur, kur Shqipëria do të raportojë përsëri. Pa ndonjë relevancë procedurale me 12 përparësitë e BE-së, në nivel të OKB-së, ka më së paku 19 rekomandime për politika sektoriale dhe ndërsektoriale, nga afro 160 të tilla, për të cilat qeveria do të raportojë. Në ndjekje janë, e di, si pjesë e strategjive kombëtare. Sistemi i Kombeve të Bashkuara funksionon përmes një mekanizmi tashmë edhe në terren, ku një ndër aktorët pritshmërisht më të besueshëm është edhe Ombudsmani. Po i qëndroj argumentit me këtë institucion, sepse qëndrimi ndaj pafuqisë së tij tregon për qëndrimin ndaj pavarësisë së institucioneve të tjera që prodhojnë efekte juridike. Ajo që pritet nga ky “mekanizëm në terren”, është se këtij institucioni do t’i duhet të japë vlerësim të pavarur. Sot e gjithmot, pa lidhje me ndonjë emër konkret, jemi ndodhur nën komplekse të panevojshme, herë të “antipatriotit”, herë të “patericës së qeverisë”. Një institucioni të pavarur do t’i duhet të bëjë vlerësim jo mbi bazën e asaj që X apo Y titullar i tij mund të dëshirojë si individ në atë moment. Këtu bëhet fjalë për lëndën e raportimeve që ai ka dhënë, nëse e ka kryer detyrën, periodikisht dhe konkretisht. Sipas një skenari pragmatist, me kosto natyrisht për integritetin e tij, ky institucion mund të refuzojë të bëjë vlerësim alternativ a përplotësues, për ta lënë këtë në çmimin e partnerëve ndërkombëtarë të qeverisë, më saktë të “trojkës”, zgjedhur me short për të bërë vlerësimin e radhës. Deri këtu jemi në kufijtë e një kostoje margjinale të pranueshme “për disa interesa madhore kombëtare”. Por, që të vlerësojë dhe certifikojë pozitivisht një administratë, cilado qoftë ajo, që eventualisht as e ka pyetur dhe as është kushtëzuar nga ai, për të mbrojtur rast pas rasti apo në sistem, ligjshmërinë dhe të drejtat e njeriut, kjo nuk mund të bënte kuptim. Interesat e përditshme dhe afatgjata të taksapaguesve të thjeshtë duan shtetndërtim, jo shtetpërçmim, as shtetshpërblim. Një institucioni të tillë, meqë e morëm si shembull, në kosto të integritetit të vet, do t’i duhej të pranonte të zbriste vetë nga shkalla e akreditimit, ku është ngjitur para tetë vitesh, pra nga statusi A, në statusin B apo C, në varësi të vlerësimit a provimit që edhe ai vetë i nënshtrohet për përputhshmërinë me standardin e pavarësisë, “Parimet e Parisit”. Po në Gjenevë, ku bëhet edhe vlerësimi i qeverisë.

Në përgjithësim të sa më lart, institucionet tona të pavarura padyshim e kanë ambicien për të vazhduar më tej në rrugë standardesh. Aspak për hir të një statusi, e ca më pak për hir buxhetesh. Në respekt të standardeve minimale të të drejtave njerëzore, që individin e afrojnë me shtetin e tyre. Ndonjëherë, edhe mundësitë duhen krijuar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel