Kreu delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi pas dorëzimit të
progres raportit kreut të PS-së Edi Rama, ka vlerësuar shumë pozitivisht rolin e opozitës në proceset integruese, i cili reflekrohet në progres
raport.

“Kam shprehur vlerësimin tim të plotë për rolin e opozitës, pikërisht për të ato arritje që kemi parë për të cilat dëshmojmë sot. Po ashtu i shpreha kreut të opozitës edhe falenderimet e komisionerit Fyle dhe të Drejtorit të Përgjithshëm zotit Sanino, për të gjithë punën e bërë, si edhe për rolin dhe meritat e plota që i përkasin opozitës në këto arritje që kemi parë deri më tani. Çelja e negociatave, siç e tha edhe komisioneri Fyle, ka të bejë dhe do të ketë të bëjë, natyrisht edhe me natyrën e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërgjegjësimi i  plotë dhe kaq i madh nga opozita për integrimin e Shqipërisë në BE, më ben të jem shumë i kënaqur njëkohësisht edhe fakti se opozita është tërësisht e angazhuar për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Sequi.

Kreu opozitës e ka mirëpritur progres raportin duke e quajtur një arritje të opozitës vendosjen e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, si kusht për nisjen e bisedimeve për zgjerim.

“Jemi absolutisht të kënaqur si opozitë në këtë rast, si një forcë e dëmtuar seriozisht nga proceset e mëparshme zgjedhore, por edhe si një forcë e interesuar në radhën më të parë që në Shqipëri të vendosë vullneti i popullit sovran që hapja e negociatave, çka është në fakt procesi i konkretizimit të dhënies së statusit kandidat, është absolutisht e varur nga cilësia e zgjedhjeve. Këtë unë e konsideroj një arritje domethënëse të politikës së ndjekur prej nesh”, u shpreh Rama.

Shefi i opozitës shqiptare e garantoi ambasadorin Sequi për gadishmërinë e opozitës, për të vijuar së kontribuari në bërjen realitet për shqiptarët të ëndrrës europiane. ‘Ne jemi të vendosur, tha Rama, të vazhdojmë me plotësimin e reformave por Berisha duhet të zbatojë vendimet e gjykatave për qarkun e Ferit’.

Top Channel