Kosova: SHBA, pjesë e dialogut me Serbinë

17/09/2010 08:10

Kosova ka bërë të ditur zyrtarisht se kërkon praninë e SHBA-së si ndërmjetëse në takimet mes Prishtinës dhe Beogradit për arsye teknike.

Pas vendimit të Brukselit, që do të jetë BE-ja ajo që do të moderojë negociatat pas rezolutës së zbutur në OKB, është Prishtina ajo që ka bërë të ditur se nuk ulet në tryezë nëse Uashingtoni nuk ftohet si pjesë e monitorimit ndërkombëtar.

Këtë e ka bërë të ditur numri dy i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, por ndërkohë Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi janë nisur për të dytën herë në Nju Jork, ku do të marrin pjesë në pritjen tradicionale që bën Presidenti amerikan, Barack Obama, në fillim të sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme i jep Bashkimit Europian rolin kryesor në bisedimet e mundshme mes Prishtinës dhe Beogradit. Por, Prishtina zyrtare ka bërë të ditur se nuk do të hyjë në bisedime, nëse SHBA-ja nuk është e përfshirë në këtë proces. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i tha radios “Europa e Lirë”, se roli i SHBA-së në të gjitha proceset që ndërlidhen me Kosovën nuk zëvendësohet me asgjë.

Kuçi deklaroi se “ne, kudo që jemi dhe bisedohet për Kosovën, rolin e SHBA-së e shohim të pazëvendësueshëm. Në këtë drejtim, Kosova punon me mekanizmat ndërkombëtarë që SHBA-ja të jetë pjesë, jo vetëm pjesë për shkak të dëshirës sonë, por edhe për shkak të nevojës për një zgjidhje të qëndrueshme, ku një lloj garanti do të thosha, do të ishin edhe SHBA-ja, edhe BE-ja”.
Numri dy i qeverisë së Prishtinës shtoi se “në këtë drejtim, besoj se edhe zgjidhja e pranueshme do të ishte në raport të unitetit SHBA-BE”.

Një javë pas miratimit të rezolutës së Serbisë, të bashkësponsorizuar nga Unioni Europian, nuk është bërë publike as formati, e as koha e mbajtjes së bisedimeve. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se krahas axhendës që, sipas tij, duhet të miratohet në Kuvend, në vendimin eventual të legjislativit duhet të theksohet prania e SHBA-së në procesin e bisedimeve.

“Mendoj se ndikimi kryesor për ndryshimin e rezolutës në OKB dhe për harmonizimin mes BE-së dhe Serbisë, ka qenë kryesisht i SHBA-së dhe presioni është bërë nga SHBA-ja për tërheqjen e rezolutës dhe për aprovimin e rezolutës së miratuar në OKB. Konsiderojmë se pa pjesëmarrjen e SHBA-së, absolutisht nuk do të mund të ketë çfarëdo bisedimesh, që mund të jenë të nivelit politik”, tha Isufi.

Zëvendëskryeministri Kuçi e quan SHBA-në nismëtare të paqes në Ballkan. Kështu që, sipas tij, Uashingtoni duhet të jenë i përfshirë edhe në proceset tjera, si mund të jenë bisedimet Prishtinë-Beograd.

“Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm. Amerika është nismëtare e paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe në botë. Në këtë drejtim, një unitet i qëndrueshëm i SHBA-së dhe i BE-së, përballë qëndrimeve për Kosovën dhe rajonin, do të ishte i dobishëm për të gjitha palët”, tha Kuçi. Një rol më i madh i SHBA-së në procesin e bisedimeve është kërkuar dy ditë më parë edhe në Kuvendin e Kosovës. Për një gjë të tillë ka pajtim mes qeverisë e opozitës. Ahmet Isufi, nga Partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon sqarim të rolit të SHBA-së. “Institucionet e Kosovës, jo vetëm kërkesë zyrtare, por duhet të marrin edhe vendime në Parlamentin e Kosovës lidhur me axhendën për bisedime, por edhe për praninë e SHBA-së, meqë ajo ka pasur rol vendimtar në çlirimin e Kosovës, në pavarësinë e Kosovës, në proceset që po e ndihmojnë Kosovën për demokratizimin e vendit dhe po ashtu në krijimin e raporteve të njohjeve dhe funksionimit të shtetit të Kosovës”, u shpreh Isufi.

Top Channel