BE i hap sot rrugën dialogut Prishtinë-Beograd

13/09/2010 08:00

Megjithëse disa vende të BE-së janë të mendimit se Serbia duhet “të shpërblehet” sa më parë, për shkak të gatishmërisë që tregoi për të ndryshuar rezolutën për Kosovën që u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 9 shtator, progresi i kandidaturës së saj për anëtarësim në BE do të përcaktohet vetëm pas muajit nëntor, pasi të publikohet raporti vjetor i Komisionit Europian dhe pasi të shihen rezultatet e para të marrëveshjes për fillimin e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ministrat e Jashtëm të BE-së, që sot (më 13 shtator) do të diskutojnë për kandidaturën serbe, por, sidoqoftë, shanset që të merret ndonjë vendim konkret për këtë çështje janë minimale, shkruante dje gazeta e përditshme serbe “Danas”, duke iu referuar analistëve dhe ekspertëve që kanë kontakte të ngushta në Bruksel. Për avancimin më të shpejtë të kërkesës së Beogradit për anëtarësim në BE, midis të tjerave shprehen Austria, Italia, Sllovenia, Hungaria dhe Suedia.

Të gjitha vendimet brenda BE-së, sikurse dihet, merren me konsensus dhe qëndrimi i përgjithshëm që mbizotëron aktualisht në Bruksel është se duhet të priten rezultatet e raportit vjetor të KE-së për progresin e arritur në fushën e euro-integrimeve. Ndërkohë do të pritet që të shihet se sa bashkëpunues do të mund të tregohet Beogradi në përgatitjet për bisedimet e drejtpërdrejta me Prishtinën ku, sikurse dihet, çështja e statusit të Kosovës nuk do të preket që, vetëkuptohet, nuk është pikërisht ajo gjë që dëshiron Serbia.

Sa i përket dialogut për problemet që do të diskutohen lidhur me Kosovën, deri tani, nuk është thënë asgjë konkrete dhe, në këtë moment, vendet anëtare të BE-së po i përputhin qëndrimet e tyre me kabinetin e përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë së BE-së, Ketrin Eshton, që, nga ana e tij (kabineti), ndodhet “në lidhje të drejtpërdrejta” me Prishtinën dhe Beogradin. Kështu, sipas gazetës së lartpërmendur, do të duhet të arrihet një marrëveshje për një numër çështjesh, si dhe ku do të zhvillohen bisedimet, cilat do të jenë temat konkrete të tyre, kur do të krijohen grupet e punës, nëse do të arrihet ose jo deri te formati i seancave plenare etj. Në këto kushte, fundi i vitit 2010 konsiderohet si afati final për fillimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit që, në fakt, sikurse theksohet në qarqet diplomatike të kryeqytetit belg, më shumë është dëshirë e disa vendeve të veçanta të BE-së sesa rezultat i ndonjë axhende të përcaktuar tanimë. “Të gjithë janë të interesuar që të fillojnë sa më shpejt bisedimet mes Beogradit e Prishtinës, pavarësisht nga ritmi i integrimeve europiane”, thekson analisti politik Nikolla Jovanoviç” i revistës serbe “Izazovi” (Sfidat), duke theksuar se asnjëra palë nuk do të guxojë që t’i sabotojë bisedimet ose që t’i shtyjë ato. Pyetjes nëse me sabotim të bisedimeve nënkuptohet insistimi i Serbisë te çështja e statusit të Kosovës, Jovanoviçi iu përgjigj se në këtë moment nuk bëhet aspak fjalë për ndonjë diskutim për çështjen statusit të Kosovës. “Duhet të fillojnë bisedime sa më të hapura, pa asnjë kushtëzim. Kjo nuk do të thotë se gjatë tyre ne do të dorëzojmë gjithçka dhe nuk do të fitojmë asgjë”, theksoi ai, duke nënvizuar se pret që bisedimet të fillojnë para fundit të këtij viti dhe se do të jenë të vështira, ku në to do të arrihet deri në kompromise të dhimbshme. “Mendoj se në këto bisedime do të luajë një rol kyç BE-ja, pra nuk besoj se në këto bisedime do të marrin pjesë Rusia ose OKB-ja”, vuri në dukje Jovanoviçi.

Top Channel