Prishtina zyrtare mirëpret vendimin e Serbisë për ndryshimin e tekstit të rezolutës për Kosovën, e cila shqyrtohet sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Politikanë vendas e ndërkombëtarë deklaruan se modifikimi i tekstit të rezolutës ka qenë e vetmja zgjidhje për Serbinë, në të kundërtën ajo do të pësonte një humbje të madhe në OKB.

“Ne besojmë se më në fund Serbia, ndoshta edhe nën presionin e ndërkombëtarëve, gradualisht po bëhet një faktor mbështetës i situatës në rajonin tonë. Ne kemi thënë se do dialogojmë me Serbinë për cështje me interes të përbashkët”, ka deklaruar Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuci është shprehur: “Ne jemi në koordinim të plotë me SHBA dhe BE dhe cdo rezolutë që reflekton vullnetin e kosovarëve dhe vendimin e GJND-së ne e mbështesim”.

E ndërsa kjo mendohet se është hera e parë ku Serbia e Kosova në sy të botës pajtohen për diçka, dallimet vërehen menjëherë në interpretimin e tekstit të rezolutës.

Në këtë kuadër qeveria e Kosovës kritikoi Beogradin se po përpiqet të krijojë keqinterpretime dhe pritje false lidhur me përmbajtjen e draft/rezolutës së re të përpiluar nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Në një njoftim të dërguar nga qeveria menjëherë pas publikimit të lajmit për ndryshimin e rezolutës thuhet se, draft/rezoluta e re merr në konsideratë mendimin këshillëdhënës të GJND-së e cila ka dalë në përfundimin se shpallja e pavarësie së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Ndërsa kur bëhet fjalë për bisedimet Kosovë-Serbi, autoritetet kosovare nënvizuan se nuk do të negociojnë çështjen e statusit dhe integritetit territorial të vendit.

Një koment të shkurtër rreth modifikimit të rezolutës e bëri edhe ambasadori britanik në Kosovë, Andy Sparks.

“Është një veprim i mirë që është arritur marrveshje për tekstin e rezolutës, por ne ende nuk kemi harmonizuar gjithë cështjet dhe ka ende disa punë që duhet të bëhen”, tha ai.

Përfaqësues të opozitës në Kosovë ndërkaq deklaruan se kjo rezolutë nuk mund të merret plotësisht pozitive për Kosovën.

“Nuk mund të themi se rezoluta është e pranueshme plotësisht dhe e favorshme dhe se i kalon të kënaqura as palën serbe as palën kosovare. Ka qenë një trysni e bashkësisë ndërkombëtare për ta bërë atë të pranueshme dhe për të dalë nga ky rreth vicioz në raportet Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Ibrahim Gashi nga AKR.

“Tërheqja ka qenë një knock out për Serbinë, e cila e ka kuptuar se ka bërë gjënë e duhur”, është shprehur Ahmet Isufi nga AAK.

Tërheqja e Serbisë në momentin e fundit nga rezoluta të cilën e ka parashtruar ka qenë shenjë e presionit që ka bërë bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë dhe normalisht që është pritur një knock out i Serbisë në OKB, ose një tërheqje dhe tërheqja është veprim i mençur i Serbisë që të integrohet në Bashkimin Evropian.

Edhe Greqia ka përshëndetur tërheqjen e Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme në Athinë tha se ndryshimet në tekst janë këshillat e vazhdueshme që BE i ka sugjeruar Beogradit.

“Nuk është e rastësishme që pas vendimit të GJND-së, Athina shtoi kontaktet me vendet e rajonit. Ajo ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin serb Boris Tadic dhe ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremic”, ka deklaruar zëdhënësi i MPJ.

Ai ka rikonfirmuar angazhimin e Athinës për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit brenda vitit 2014. 

Top Channel